TREPÇA - PRISHTINA

Fitore e thellë e Prishtinës në Mitrovicë
21 October, 2017 @19:57
Me fitore të thellë të Prishtinës është mbyllur takimi i zhvilluar sonte mes Trepçës dhe Prishtinës në ‘Minatori’ të Mitrovicës.
E përbërë plotësisht me lojtarë vendorë, pasi që dy transferimet e reja nga SHBA-të nuk luajtën sonte, skuadra e Trepçës ishte e pafuqishme për t’u përballur me përvojën dhe kualitetin e Sigal Prishtinës, që dominimin e filloi që nga çereku i parë, i cili u mbyll 9-30.
Edhe pjesa tjetër e ndeshjes vazhdoi njëjtë, përveç çerekut të katërt, ku mitrovicasit shënuan 2 pikë më shumë se mysafirët, mirëpo ndeshja në ato momente veçse ishte e mbyllur, sidomos pas çerekut të tretë, në të cilin prishtinasit shënuan plot 32 pikë dhe pranuan vetëm 1. Pas 4 çerekëve, rezultati final i takimit ishte 42-108.
Më të dalluarit në këtë humbje të Trepçës ishin Valdrin Haxhiu me 18 pikë, 3 kërcime e 4 asistime dhe Musab Mala me 15 pikë, 2 kërcime e 4 asistime, derisa te Prishtina më të dalluarit ishin Wayne Martin dhe Alban Veseli me nga 18 pikë secili.
Pas 4 xhirove, Prishtina ka 4 fitore dhe prin në klasifikim, derisa Trepça ka 4 humbje dhe shpreson në ringjallje pas ardhjes së dy përforcimeve nga Amerika.