Fantasy TopSporti
Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

GAME 2: TREPÇA - YLLI

Fitore e Yllit në Mitrovicë, 1 hap larg titullit

Foto: KB Ylli / Facebook

Fitore e Yllit në Mitrovicë, 1 hap larg titullit


26 May, 2022 @22:50

Pas fitores në ndeshjen e parë të serisë finale në Suharekë, Ylli e ka fituar edhe takimin e dytë ndaj Trepçës, për ta ngritur kështu në 2-0 epërsinë në seri, duke qenë tashmë vetëm 1 fitore larg titullit kampion.

Takimin e luajtur sonte në “Minatori” Ylli e fitoi me rezultat 46-60.

Për shkak që skuadra e Yllit u vonua për të arritur në sallë, ndeshja filloi rreth gjysmë ore më vonë. Gjithsesi, kjo nuk i pengoi suharekasit që ta fillojnë fuqishëm takimin.

Çerekun e parë suharekasit e fituan 6-22, për ta nisur kështu takimin në mënyrë të mrekullueshme.

Ylli ishte më i mirë edhe në çerekun e dytë (12-17) dhe kështu në pushim mes pjesëve shkoi me epërsi të konsiderueshme, 18-39.

Vlen të përmendet që Drilon Hajrizi e Rodney Purvis, dy prej lojtarëve më të mirë të Trepçës, nuk e shënuan as edhe një pikë përgjatë gjithë pjesës së parë.

SKEMA DREJT FINALES

Në çerekun e tretë më e mirë ishte skuadra mitrovicase. Këtë çerek vendasit e mbyllën 15-11, për të shkuar kështu në dhjetë-minutëshin e fundit pranë rezultatit 33-50.

Ylli vuajti për pikë deri në minutat e fundit të çerekut të tretë. Deri vonë në këtë çerek rezultati ishte 13-3 për Trepçën, por 8 pikët e Sirkos e Tmusicit në minutat e fundit bënë që Ylli ta mbyllte këtë çerek mjaftueshëm mirë për ta ruajtur kryesisht epërsinë e krijuar pas 20 minutave të parë.

Me plot përvojë, Ylli e menaxhoi mjaft mirë edhe çerekun e fundit, duke mos e lënë Trepçën të afrohet në rezultat. Në fund, suharekasit e fituan ndeshjen me rezultat 46-60.

Henrik Sirko (13 pikë), Mikaile Tmusic (12 pikë) dhe Dajuan Graf (11 pikë) ishin më meritorët për fitoren e Yllit sonte, derisa te Trepça koshashënuesi më i mirë ishte Andrew Gordon me 15 pikë. Te humbja e mitrovicasve padyshim që ndikim pati loja e dobët e dyshes Drilon Hajrizi & Rodney Purvis. Hajrizi takimin e mbylli me vetëm 8 pikë të shënuara, kurse Purvis shënoi vetëm 4 pikë. Me vetëm 4 pikë takimin e mbylli edhe Amin Hot.

Mitrovicasit në këtë ndeshje kishin edhe gjuajtje katastrofale për tri pikë, pasi që shutuan me vetëm 17% të saktësisë, duke shënuar 5 nga 29 tentime. Derisa suharekasit mbajtën 30%-shin standard me 8 të shënuara prej 26 tentimeve.

Ndeshja e radhës mes skuadrave në fjalë do të luhet në Suharekë të dielën (29 maj) me fillim nga ora 17:00. Në rast se Ylli e fiton këtë takim, seria përfundon dhe Ylli shpallet kampion i Kosovës për sezonin 2021/2022.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga