OPINION

Foto: fiba.com
Fitorja e parë e Dardanit dhe e dardanëve
Shkruan: BLERIM MYFTIU
3 August, 2017 @8:59
Dardan Berisha organizoi lojën, shënoi për 3 pikë, shënoi për 3 pikë edhe nga distanca prej 9 metrash, shënoi edhe për dy pikë, asistoi, kërceu, dribloi, veten në njërën anë, kundërshtarin në anën e tjetër e hodhi, madje bëri bllokadë (si ajo në sekondën e fundit të pjesës së parë). Ishte një all-round lojtar që bëri ç’mundi për ekipin e vet, i nxiti bashkëlojtarët dhe e “kalli” publikun. Prandaj, merita më e madhe për fitoren e parë të përfaqësueses në nivelin e seniorëve, padyshim se i takon atij, Dardan Berishës.
Shiriti i kapitenit
Trajneri Brad Greenberg i dha Dardanit më shumë përgjegjësi. Pas pensionimit të Edmond Azemit ia dorëzoi shiritin e kapitenit dhe ia besoi organizimin e lojës. Dardani që deri dje luante kryesisht në pozitën 2 dhe për detyrë pothuajse të vetme kishte sulmin dhe shënimin, u shndërrua në një Dardan më të vëmendshëm, më të qetë dhe më të dobishëm për ekipin. Ndryshimi i tij u vu re në dy pika. Në sulmin e parafundit të Kosovës në pjesën e dytë, kur e mbajti topin dhe e kishte lojën një me një kundër Çekovskit, ai depërtoi dhe edhe pse mund të shtynte deri në fund dhe të nxirrte eventualisht shënimin dhe/apo faulin, ai vendosi ta pasoi topin jashtë Gëzim Morinës. Kurse, gjatë pjesës më të madhe të çerekut të dytë dhe të tretë, ia vuri mirë prangat lojtarit më të rrezikshëm të kundërshtarit, Jordan Theodoreit.
Hapësira
Me ardhjen e Scott Bamforthit për ndeshjet e radhës mendoj se do të krijohet hapësirë domethënëse që Dardani të pushojë disa minuta më tepër (dje pushoi vetëm 2 minuta e gjysmë). Kjo do t’i jepte freski më të madhe për fundin e lojës, aty ku u vu në pah lodhja e tij dhe kthimi i Maqedonisë pothuajse nga humnera. Bamforthi do ta ndihmonte organizimin alternues të lojës dhe Dardanit do t’i jepte më shumë hapësirë të fshehjes pa top në sulm dhe shënimeve më precize. Shto këtu edhe Erjon Kastratin që u dëshmua të jetë më i pjekur për moshën, do të krijohej një rotacion i mirë point-guardësh, që do të siguronte mbi të gjitha, freskinë gjatë tërë lojës.
Ardhjet e reja
Nga ardhjet e reja, Erjon Kastrati ishte ai që mbrëmë pati minutazhin më të lartë dhe kontribuoi më shumë. Shumë i qetë dhe i pjekur, lojtar korrekt, ishte një nyje e domosdoshme e ekipit sidomos në mbrojtje. Por, Gëzim Morina dhe Lis Shoshi, nëse për asgjë tjetër, na sollën centimetrat e munguar në trapez, vuajtja jonë më e madhe e vitit të kaluar. Duhet pasur parasysh që ata sapo iu bashkuan këtij ekipi dhe do të merr kohë komponimi i tyre. Për ndeshjen e parë ishte me rëndësi që t’i kishim ato centimetra në trapez. Një prej kontribuuesve të fshehtë, sidomos gjatë pjesës së parë, ishte Fisnik Rugova, i cili i padukshëm doli të jetë shumë me rëndësi për kërcimet. Nuk çudit fakti që pati 7 sish, por secili ishte më i rëndësishëm se tjetri atëherë kur loja thyhej dhe dallimi arrinte në 20 pikë. Një playmaker natyrisht se duhet t’i shënojë gjuajtjet e lira. Leonard Mekaj ishte 75% preciz në 2 minutat e fundit. Nuk e jep ende sigurinë, i mbetet të punojë dhe të na japë atë siguri. Të dimë që kur do të faulohet në sekondat e fundit, gjasat janë më të mëdha që gjuajtjet të shndërrohen në pika.
Kualifikimi
Në grupin me tri ekipe ku dy të parat do të kualifikohen për fazën tjetër, është me rëndësi që ndeshjet vendëse të fitohen. Po aq me rëndësi, është që në rast humbjesh, kosh-averazhi të jetë pozitiv për neve. Mbetet kësisoj shija e hidhur se fitorja e mbrëmshme mund të ishte diku 10-15 pikësh. Por, lojë për lojë, të gëzohemi që Kosova ka bërë një hap më tutje krahasuar me vitin e kaluar. Kualifikimi në fazën e ardhshme është një hap më afër.