RRESHTOJNË FITORET!

Fitorja e tretë me radhë për Lirinë, me përmbysje
9 March, 2025 @22:15
Në një ndeshje jo fort lakmi për tu parë, Liria ka arritur që me përmbysje të mposhtë Rilindjen 1974 në “Përparim Thaçi” para dyerve të mbyllura, derisa ekipi i drejtuar nga Leotrim Krasniqi ka arritur të shënojë fitoren e tretë kampionale me radhë, për të kapur serinë më të mirë të stinorit!
Mysafirët nga Peja morën epërsinë herët në ndeshje përmes Arian Telakut, që u asistua nga Art Bojku, ndërsa dominimi i prizrenasve dhe rrezikimi i trajnerit duke futur tre sulmues në pjesë të dytë të ndeshjes u shpërblye me fitore!
Ishin zëvendëuesit Fiton Hajdari dhe Erastus Kulula që shënuan nga afërsia pas dominimit të plotë të bardhezinjëve vendas në pjesë të dytë, të cilët reaguan mirë pas topave të ardhur në zonë, për fitore: Liria - Rilindja 1974 [Fiton Hajdari 58’, Erastus Kulula 78’—Arian Telaku 18’].
Fitorja ngriti Lirinë në pozitë të tretë dhe mbylli ciklin e dytë me 33 pikë pas 18 ndeshjesh, derisa Rilindja 1974 e shtata në renditje ka 19 pikë!