BIBL

BOROZANI/ Lis Dorambari
Fitorja iku nga duart
21 October, 2014 @19:32
Skuadra e Pejës për pak sa nuk u kthye me fitore nga qyteti Nikshiq i Malit të Zi. Verdhezinjtë të cilët treguan lojë të mirë sidomos në çerekun e dytë dhe të tretë, u ndanë kokulur nga palestra duke u mposhtur me rezultat të ngushtë 86-84.
Pesë minutat e para të ndeshjes kaluan me lojë të barabartë, duke u barazuar rezultati katër herë (2-2, 4-4, 7-7, 9-9), por më pas seria e shpejtë prej 10-0 e Sutjeskës, krijoi epërsinë dyshifrore të malaziasve, të cilët në fund e përmbyllën çerekun e parë me rezultat 25-14.
Ekipi i Boris Kurtovicit megjithatë u përmbledh shpejtë dhe me lojë të fortë në mbrojtje dhe efikasitet në sulm, arriti ta përmbys disavantazhin duke kaluar në epërsi 34-35, derisa vendasit gjatë kësaj periudhe nuk arritën të shënojnë më shumë se nëntë pikë.
Loja e mirë e Pejës vazhdoi edhe në pjesën e dytë. Verdhezinjtë sidomos me anë të trepikëshave të Alban Veselit dhe Samir Shaptahovicit, hyrën në çerekun e katërt me dhjetë pikë epërsi (56-66).
Çereku i fundit fatal për Pejën!
Çerekun e katër Sutjeska e filloi furrishëm duke shënuar katër tresha në pesë minutat e para me anë të Spasojevicit, Pavlicevicit (2 treshe) dhe Ilicit, derisa kur kishin mbetur edhe 1 minutë e 48 sekonda, rezultati u barazua në 78-78.
Në vazhdim Puljko shënoi dy herë nga gjuajtjet e lira, kurse Vranjes u kundërpërgjigj me trepikësh për ta kthyer epërsinë në të mirë të ekipit të tij pas një kohe të gjatë.
Pika e kritike në fitoren e Sutjeskës ishte 14 sekonda pa mbaruar takimi, kur Puljko e humbi topin, derisa më pas malaziasit krijuan epërsi prej tre pikëve dhe me anë të fauleve taktike, nuk lejuan basketbollistët pejanë që të tentojnë për tre pikë për të arritur deri te fitorja.
Alban Veseli i Pejës dhe Nikola Pavlicevic i Sutjeskës ishin koshashënuesit më të mirë të ndeshjes me nga 20 pikë.
Kjo ishte humbja e parë e Pejës për sivjet në BIBL, pasi në ndeshjen e kaluar që ishte e para e këtij edicioni, verdhezinjtë e kishin mposhtur skuadrën nga Maqedonia, Kumanovën.
Rezultatet dhe tabela aktuale.
Statistikat ekipore
Sutjeska | Peja | ||
Çereku i parë | 25 | 14 | |
Çereku i dytë | 9 | 21 | |
Çereku i tretë | 22 | 31 | |
Çereku i katërt | 30 | 18 | |
Kërcime në mbrojtje | 17 | 22 | |
Kërcime në sulm | 14 | 3 | |
Gjithsej kërcime | 31 | 25 | |
Asistime | 16 | 8 | |
Bllokada | 4 | 2 | |
Topa të vjedhur | 4 | 2 | |
Topa të humbur | 9 | 12 | |
Tentime për tre pikë | 10/29 | 12/27 | |
Tentime nga loja | 27/62 | 29/55 | |
Gjuajtjet e lira | 22/35 | 14/17 |
Statistikat individuale te Sutjeska
1 | Nikola Pavlicevic | 20 pikë | 7 asistime | 3 kërcime |
2 | Nikola Zizic | 18 pikë | 9 kërcime | 2 asistime |
3 | Nemanja Arsic | 13 pikë | 1 kërcim | 3 bllokada |
4 | Aleksa Ilic | 11 pikë | 1 kërcim | |
5 | Nemanja Vranjes | 10 pikë | 4 kërcime | 3 asistime |
6 | Marko Ljujic | 7 pikë | 4 kërcime | 1 asistim |
7 | Radoslav Spasojevic | 7 pikë | 3 kërcime | 2 asistime |
Statistikat individuale te Peja
1 | Alban Veseli | 20 pikë | 6 kërcime | 2 asistime |
2 | Samir Shaptahovic | 17 pikë | 3 asistime | 1 kërcim |
3 | Hrvoje Puljko | 14 pikë | 3 kërcime | 1 asistim |
4 | Drilon Hajrizi | 12 pikë | 3 kërcime | 1 bllokadë |
5 | Jan Mocnik | 8 pikë | 3 kërcime | 2 asistime |
6 | Radomir Marojevic | 7 pikë | 2 kërcime | |
7 | Gerti Shima | 6 pikë | 6 kërcime | 1 bllokadë |