EROLLD BELEGU
Fund i mrekullueshëm në Ligën Ballkanike
24 April, 2016 @20:11
Paraqitja e parë e Bashkimit, rivaliteti i madh i Pejës dhe në fund, titulli i fituar i Sigal Prishtinës, gjithsesi që do ta lënte të kënaqur kryetarin e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegun, për stinorin tashmë të përfunduar të Ligës Ballkanike.
Në deklaratën e tij dhënë faqes zyrtare të Ligës Ballkanike, Belegu megjithatë tha se ka pritur që finalja do të ishte më lehtë për Sigal Prishtinën.
“Personalisht, kam pritur që do të jetë më lehtë për Prishtinën, por Mornari ka dëshmuar se kush janë, si njëra prej skuadrave më të mira në Mal të Zi dhe në Ligën Ballkanike. Ata vërtetë i dhanë çaste të vështira Sigal Prishtinës. Që të dyja skuadrat kanë pasur ndeshje të mirë dhe mendoj se ky ishte një përfundim i shkëlqyer i këtij stinori.”
Më tej, numri një i basketbollit kosovar foli në përgjithësi për Ligën Ballkanike, duke pranuar se edhe skuadrat e tjera kosovare kanë shprehur interesim për pjesëmarrje në këtë ligë.
“Së pari, jam shumë i lumtur që Sigal Prishtina e fitoi Ligën Ballkanike për herë të dytë rresht. Skuadrat tjera kosovare gjithashtu luajtën mjaft mirë këtë stinor. Në disa raste dukej se Sigal Prishtina do të ishte fituese lehtësisht, pasi ata e përmirësuan ekipin në fillim të stinorit. Liga u bë më e fortë, skuadrat u riformuan dhe mendoj se në fund, gjysmëfinalet dhe finalet ishin një argëtim për të gjithë.”
“E di që ka disa interesime nga skuadrat tjera të Kosovës që t’i bashkohen ligës, por fillimisht duhet të shohim se çfarë zhvillimi do të ketë në basketbollin europian në muajt e ardhshëm dhe kush ku do të luajë. Mendoj se Liga Ballkanike është një shtesë shumë e mirë për të gjitha ligat e FIBA-s dhe ato vendase.”
Ky edicion, ka qenë edicioni i tretë me pjesëmarrje të skuadrave kosovare në Ligën Ballkanike.