TE TABELAT
Gabime në llogaritje, FBK e pavëmendshme
4 April, 2016 @22:01
Kur ka mbetur vetëm edhe një xhiro deri në fund të pjesës së rregullt të stinorit në Ligën e Parë të basketbollit, gabimet në rezultatet dhe radhitjen tabelare te faqja zyrtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës, mund të ndikojë drejpërdrejtë në fatin e skuadrave pjesëmarrëse.
Gabimi i parë
Faqja zyrtare e FBK-së gabimin e parë e ka trashëguar qysh nga xhiroja e pestë. Aty figuron ndeshja Prishtina Re - Kalaja me rezultatin 73-66, ndërsa në vërtetë është dashur të jetë ndeshja Prishtina Re - Megasports me rezultatin e njëjtë, 73-66.
Ky gabim mund të vërtetohet nëse shikohet Informatori i kësaj xhiroje që është publikuar nga vetë faqja e FBK-së.
Gabimi i dytë
Një tjetër gabim që ka ndikim tek pikët dhe radhitja tabelare është ajo e ndeshjes Kalaja - Megasports, të xhiros 19.
Kjo ndeshje nuk ishte zhvilluar fare për shkak të përjashtimit nga garat të KB Kalajës, me ç‘rast fitorja i ka takuar në tavolinë skuadrës Megasports me rezultat zyrtar, 0-2.
Mirëpo, kështu nuk figuron në rezultatet dhe tabelën në faqen e FBK-së. Aty, vendin e skuadrës Megasports e ka zënë skuadra e Kosovës, të cilës i janë shtuar +2 pikë në tabelë hiç pa arsye, derisa Megasportsit padrejtësisht nuk janë llogaritur 2 pikët e fituara në tavolinë.
Gabimi i tretë
Ndryshe nga dy gabimet e para, i treti dhe i katërti mund të quhen “gabime më të vogla”, pasi në këta raste nuk ndikohet tek pikët e fituara apo të humbura, por vetëm tek koshdallimi i skuadrave.
Është ky gabimi i xhiros 9, në ndeshjen Kosova - Megasports. Këtë ndeshje vushtrriasit e kishin fituar me rezultat bindshëm, 86-64, por federata këtë takim e ka regjistruar me rezultat të ngushtë 86-84, duke mos e ndërruar fituesin.
Gabimi i katërt
Gabimi i fundit është realizuar pikërisht në xhiron e fundit të zhvilluar (21), përkatësisht në ndeshjen Lipjani - Prishtina Re. Kjo ndeshje ka përfunduar me rezultat 73-95 në të mirë të ekipit mysafir, ndërsa FBK-ja këtë ndeshje e ka regjistruar me rezultat 75-93.
Përfundimisht, këto gabime kanë krijuar ndryshime të mëdha në radhitjen tabelare të Ligës së Parë, duke luajtur kështu me fatin e skuadrave pjesëmarrëse, nëse në ndërkohë nuk bëhen përmirësimet.
AS Kastrioti dhe Megasports, humbësit më të mëdhenj
Nga llogaritjet e gabuara në faqen zyrtare të Federatës së Basketbollit të Kosovës, humbësit më të mëdhenj janë skuadra nga Obiliq, AS Kastrioti dhe ajo nga Prizreni, Megasports.
AS Kastrioti realisht ka 32 pikë dhe gjendet në pozitën e tretë, aq sa ka edhe Kosova e Vushtrrisë, që renditet e katërta dhe në xhiron e fundit pikërisht këto dy skuadra do të luajnë mes veti, ku që të dyja skuadrat do të luftojnë për fitore, në mënyrë që të sigurojnë pozitën e tretë, duke iu shmangur kështu në Playoff liderit të pamposhtur, Rahovecit, por sipas FBK-së pozita e tretë është kapitull i kryer, pasi aty gjendet Kosova me +2 pikë të gabuara.
Kurse Megasportsi, në vend se të renditej në pozitën e shtatë, ka pësuar nga gabimet e FBK-së duke u renditur e nënta, pozitë kjo që nuk jep garanci për pjesëmarrje edhe vitin tjetër në Ligën e Parë, pasi që në rast të themelimit të Ligës së Dytë, siç është e planifikuar, Megasports, do të binte në një rang më të ulët të garave.
Tabelën aktuale me rezultate të sakta të Ligës së Parë për momentin mund ta gjeni te Borozani.com, derisa shpresojmë që gabimet në faqen zyrtare të FBK-së të përmirësohen sa më shpejt.