GRUPI A - PARAKUALIFIKUES
Gerti Shima pozitiv, nuk do të mund t’i ndihmojë Shqipërisë
18 February, 2021 @11:24
Kombëtarja shqiptare në duelet e fundit parakualifikuese për Botërorin 2023 do të ndeshet ndaj Qipros dhe Bjellorusisë.
Mirëpo, në këto përballje, që nisin sot, kuqezinjëve nuk do të mund t’i ndihmojë njëri ndër basketbollistët më të mirë të skuadrës, Gerti Shima.
Shima, përmes një njoftimi në llogarinë e tij personale të Facebookut ka bërë të ditur se nga e gjithë ekspedita kuqezi, vetëm ai ka rezultuar pozitiv në COVID-19 dhe kështu nuk do të mund t’i ndihmojë skuadrës.
Më 18 shkurt, me fillim prej orës 18:00 luhet Qipro-Shqipëria në Eleftheria Sports Arena të Nikozisë, ndërsa më 20 shkurt luhet përballja e fundit Shqipëria-Bjellorusia në të njëjtën orë.
Për shkak të rregullave të reja me coronavirus, FIBA ka kërkuar që organizimi të bëhet te një vend, nga pjesëmarrësit e grupit dhe në Grupin A ku bën pjesë Shqipëria, Qiproja ka qenë fituese për organizim.
Përndryshe, gjasat e Shqipërisë për kualifikim tutje janë të vogla, pasi që kuqezinjtë nga duelet e para kanë bilans 1-3. Fitorja e vetme në grup për Shqipërinë ka qenë ndaj qipriotëve si vendas.
TABELA:
1. Bjellorusia 4-0
2. Portugalia 3-1
3. Shqipëria 1-3
4. Qiproja 0-4.