BKT SUPERLIGA

Hakmerret Sigal Prishtina
18 November, 2012 @22:06
U desht të priten nëntë xhiro që të gjitha skuadrat e BKT Superligës ta shijojnë humbjen. E vetmja pa humbje deri në këtë xhiro, Peja, nuk arriti të dal e pamposhtur edhe nga Pallati i Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Shkaktar për këtë ishte skuadra e Sigal Prishtinës, në krye me trajnerin e saj, Arben Krasniqin. Prishtina shënoi padyshim fitoren më të rëndësishme deri më tani, duke e mposhtur Pejën me rezultat 66-59.
Çerekun e parë megjithëse pejanët e përfunduan në epërsi me rezultat 15-22, në çerekët në vazhdim bardhekaltrit u treguan më të mirë dhe e merituan plotësisht fitoren (16-8; 19-14; 16-15).
Peja e cila e kishte mposhtur Prishtinën me 31 pikë në xhiron e dytë, kësaj radhe nuk e kishte as hijen e asaj skuadre. Megjithëse shënoi 26 pikë, as Dardan Berisha nuk e kishte ditën, pasi që kishte shumë gjuajtje të huqura gjatë lojës.
Ndërsa te Sigal Prishtina, loja e fortë në mbrojtje dhe koncentrimi maksimal, e solli fitoren, ndërsa e gjithë skuadra tregoi lojë të mirë, ku u dalluan Adam Waleskowski me 21 dhe Edmond Azemi me 18 pikë.
Tani në BKT Superligë nuk ka asnjë skuadër pa humbje. Megjithatë për shkak të koshdallimit më të mirë, Peja vazhdon të kryesoj në renditje me 17 pikë, aq sa ka edhe Sigal Prishtina.
Peja me këtë humbje ka zbritur me këmbë në tokë, ndërsa Sigal Prishtina ka treguar se sikurse çdo vjet, edhe sivjet do të jetë deri në fund në garë për titull.