FINAL FOUR PRISHTINA
Hapi më i madh në historinë e basketbollit
11 April, 2014 @18:12
Tanimë është e sigurtë, qyteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i ngjarjes më të madhe basketbollistike në Kosovë që nga pas lufta, pra, organizimit të Final Four-it të Ligës Ballkanike.
Pas këtij vendimi të rëndësishëm, drejtuesit e klubit të Sigal Prishtinës, në krye me presidentin Blerand Stavileci, kanë mbajtur një konferencë për media në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, ku sukseset e sivjetëm të klubit në Ligën Ballkanike i kanë vlerësuar si hapi më i madh në historinë e basketbollit kosovar, si dhe janë zotuar që do të bëjnë çmos për t’i treguar të gjithëve se vendimi i Bordit të BIBL për organizimin e Final Four-it në Prishtinë, ishte vendimi i drejtë.
Në vijim ju sjellim njoftimin e lëshuar nga klubi i Sigal Prishtinës.
“KB Prishtina është klub me traditë të pasur shumëvjeçare, është klubi më i organizuar dhe më i trofeshëm në Kosovë. Vetëm gjatë dekadës së fundit, KB Prishtina ka fituar 19 kupa e tituj të çmueshëm, si dhe shumë kupa e mirënjohje të tjera prestigjioze. KB Prishtina këtë vit ka arritur ta bëjë edhe hapin më të madh në historinë e basketbollit kosovar, sepse nga ky edicion filloj të garoj në Ligën Ballkanike (BIBL), në të cilën janë pjesëmarrëse ekipe të njohura nga Izraeli, Rumania, Bullgaria, Maqedonia dhe Mali i Zi.
KB Prishtina jo vetëm që ishte pjesëmarrëse në këtë ligë, por me organizimin e saj dhe lojët e treguara, arriti ta befasojë edhe botën ku u rangua në pozitën e dytë, pozitë e cila siguron plasmanin e drejtpërdrejt në ‘Final Four’.
Rrugëtimi ynë deri në arritjen tonë në ‘Final Four’ filloi në maj të vitit 2013 ku kryesia e Klubit dhe Plisat u zotuan që do ta japin maksimumim për arritjen e objektivave. Për dikend objektivat tona ishin të parealizuara, por ne gjithmonë besuam se do t’ja dalim dhe falë angazhimit, dedikimit dhe përkushtimit, ne arritëm ti tejkalojmë edhe objektivat tona.
Ta kujtojmë fillimisht atë fitoren tonë të parë në ndeshjen debutuese në Kumanovë e cila ishte historike vetvetiu. Pritja që ekipit tonë iu bë nga Plisat në Prishtinë ishte ndjenja më e mirë që një klub mund ta ketë. Për këtë edhe jemi krenarë dhe mburremi me këtë tifozëri, që pa dyshim kanë merita shumë të mëdha në vendimin e sotëm që ‘Final Four’ të zhvillohet në Prishtinë.
Lajmi i sotëm për organizimin e ‘Final Four’ të EUROHOLD Balkan League në Prishtinë jo që është lajm i mirë për qytetin e Prishtinës dhe Plisat, por ky lajm i gëzon pamasë edhe të gjithë shqiptarët. Ne kemi dëshmuar se dimë të organizojmë, dimë të përkrahim dhe dimë të luajmë. Kemi marrë lavdata për organizim e mikpritje nga të gjitha ekipet që kanë ardhur në Prishtinë.
Para vetës kemi dy javë mjaft të rëndësishme. Ne prap zotohemi që nga ky moment të fillojmë të punojmë së bashku me Plisa dhe qytetarë të Prishtinës dhe tu tregojmë të gjithëve se vendimi i menaxhmentit të Ligës Ballkanike për mbajtjen e ‘Final Four’ në Prishtinë është vendimi më i drejtë që e kanë bërë. Këto ditë ne duhemi ta shndërrojmë qytetin e Prishtinës në një festival sportiv dhe t’i mirëpresim të gjithë mysafirët ashtu siç na ka hije.
Ne jemi Prishtina, ne besuam dhe së bashku ia dolëm!”.