ARBEN KRASNIQI
I duhet dora e djathtë dhe e majtë
18 December, 2013 @21:49
Ish trajneri i Sigal Prishtinës, tash i RTV 21, Arben Krasniqi në një intervistë të dhënë për të përditshmen Koha Ditore ka bërë të ditur se Urim Zenelaj mund të kalojë në Sigal Prishtinë, por si shkëmbim atij i duhet dora e djathtë dhe e majtë e tij.
“Urimin mund ta shkëmbejë me Sigal Prishtinën, vetëm nëse ata e lirojnë dorën e djathtë dhe të majtë timen, Fikret Shatrin,” ka thënë ndër të tjera Krasniqi për gazetën në numrin e saj të sotëm.
Ish qendra e Bashkimit, Zenelaj, është lojtar për të cilin është treguar e interesuar Sigal Prishtina, derisa basketbollisti ka kontratë me RTV 21.
Fikret Shatri ka qenë ndihmës i parë i Krasniqit, në epokën kur Arben Krasniqi me Sigal Prishtinën ka fituar gjithçka, vite me radhë në Superligën kosovare të basketbollit.
Me RTV 21, Arben Krasniqi deri më tani ka shënuar vetëm një fitore prej se e zëvendësoi Adin Adinovicin në krye të saj.
RTV 21 nesër takohet me Sigal Prishtinën në kuadër të Superligës.