Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOHA PËR FITORE

Kampionja pret fitore për fundvit

BOROZANI/Erdis Driza

Kampionja pret fitore për fundvit


18 December, 2013 @10:28

Kampionja e Kosovës në basketboll, Peja, sonte në Karagaç të Pejës pret kampionin aktual të ligës ballkanike në basketboll, Galil Gilboa. 

Pas katër humbjeve me radhë, ekipi i Daniel Lutz ka marrë veten dhe ka nisur fazën e këndelljes duke shënuar dy fitore me radhë në Balkan League si vendas, një ndaj Craiovas e tjetra ndaj Teodos. 

Për këtë arsye, Peja dëshiron që të vazhdojë me ritmin e fitoreve si në Superligë ashtu edhe në Balkan League, ndërsa me një fitore potenciale pejanët do të mund të kërcenin deri te vendi i katërt i tabelës së klasifikimit. 

Peja ka të gjithë lojtarët në dispozicion. Lutz kishte pushuar yllin amerikan të skuadërs, Fred House, në ndeshjen e fundjavës në Gjilan, i cili ka gishtin e lënduar por që nuk paraqet rrezik pasi që kishte luajtur edhe më parë. 

Për më tepër Lutz ka angazhuar edhe Ersid Ljucën në ndeshje, e që ndoshta do të mund të llogaris në atë dhe t’ia jep edhe një rast për tu dëshmuar a të qëndrojë apo jo te Peja. 

Super Samir Shaptahovici ka treguar se është në formë të mirë, derisa Drilon Hajrizi e Fahri Breca janë treguar në shumicën e rasteve të saktë në shënime. 

E nëse është treguar në stërvitje, edhe Mario Edwards, transferi i fundit pejan, do të mund ta sheh veten për më shumë minuta në lojë, pasi që në ndeshjen e fundit u paraqit shumë pak pasi që posa kishte arritur në Pejë. 

Në anën tjetër, izraelitët, të cilët ia nisën mirë rrugës për mbrojtje të titullit duke fituar dy ndeshjet e para, u mposhtën në dy të ardhmet, e së fundi mposhtën Kozuvin e Gjevgjelisë.  

Sa i përket ligës kombëtare, Galil nuk ka pasur fillim të mirë, derisa në muajin dhjetor ka hyrë në formë, sikurse Peja, duke shënuar dy fitore ndaj Maccabive, Haifa dhe Ashdod, por së fundi përsëri u mposht nga Bnei Hertzeliya. 

Ata në ligën e tyre kanë shënuar deri më tani 5 fitore dhe gjashtë humbje, derisa amerikani Rick Jackson me 15.2 pikë për ndeshje është koshashënuesi më i mirë i tyre. Jackson është njëri ndër basketbollistët më të dalluar të skuadrës, pasi ka edhe mesatare prej 7.5 kërcimeve për ndeshje dhe 1.6 bllokadave. Ai me 206 centimetrat e tij pritet të jetë arma kryesore e trajnerit Drucker Sharon. 

Sidoqoftë, këtë me siguri e ka parë Lutz dhe kjo mund të jetë arsyeja e edhe një rasti për Ersid Ljucën sonte, pasi që me George Odufuwa dhe Teo Simovic mund të mos jetë e mjaftueshme ndalja e Jacksonit. Shto kësaj edhe publikun e zjarrtë pejan e Samirin në formë - Peja mund të përfundojë në vendin e katërt të BIBL sonte. E rasti për dhënien e një dhurate për Vit të Ri publikut, si fitorja s’ka. 



SONTE:

19:00 - Karagaç Peja-Galil Gilboa Gjyqtarë: Ognjen Jokic, Vladan Sundic dhe Ventsislav Velikov.

 
Të gjitha lajmet nga Balkan League