PEJA
Karagaçi i heshtur
18 December, 2013 @21:07
Skuadra izraelite, Galil Gilboa, është kthyer me fitore nga udhëtimi në Pejë. Kampioni aktual i Balkan Ligës shënoi fitore me rezultat 66-76 ndaj verdhezinjëve në Karagaç.
Mysafirët e filluan mirë ndeshjen duke krijuar epërsi prej 10 pikëve në fund të çerekut të parë, 17-27.
Në çerekun e dytë pejanët treguan lojë më të mirë duke e ngushtuar disavantazhin në vetëm dy pikë, 39-41.
Në gjysmën e parë të çerekut të tretë Peja mbeti pa njëri prej lojtarëve më të mirë të saj, pasi që amerikani Fredeerick House u largua nga ndeshja. Në të vërtetë House e filloi ndeshjen me gjendje jo të mirë shëndetësore dhe gjatë kësaj kohe gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë dhe kështu ndeshja për të përfundoi më herët.
Mungesa e tij u vërejt menjëherë në lojën e pejanëve, të cilët kishin vështirësi të organizoheshin në sulm, derisa ekipi i Gilboas mbante kontrollin e lojës.
Çereku i tretë përfundoi me rezultat 51-59, kurse në të katërtin epërsia u ngrit deri 14 pikë pranë rezultatit 56-70 edhe 3:56 minuta pa mbaruar takimi, duke paralajmëruar kështu një finish të qetë për mysafirët, të cilët në fund triumfuan me meritë.
Lojtari më i dalluar i takimit ishte De Shawn Sims me 19 pikë dhe 10 kërcime, derisa te Peja më së shumti kontribuoi Drilon Hajrizi me 15 pikë.
Kjo ishte humbja e pestë e Pejës në BIBL, derisa Gilboa regjistroi fitoren e saj të katërt.