BUJAR LOCI
I pakënaqur me performancën, i kënaqur me mentalitetin
28 February, 2018 @22:34
Trajneri pejan i Rahovecit, Bujar Loci, në deklaratën e tij pas ndeshjes ka bërë të ditur se performanca e lojtarëve nuk e ka kënaqur, por mentaliteti i lojtarëve e ka kënaqur në përballjen e Final 8 ndaj Kerasanit, ku Rahoveci për herë të parë në histori të klubit arriti të sigurojë një vend në Final Four të Kupës së Kosovës.
“Në çerekun e tretë nuk patëm fillim të mirë, por dy shënimet rresht pas disavantazhit 18 pikësj krijuan momentum që e shfrytëzuam duke aplikuar mbrojtje fizike dhe të shpejtë, kurse me kundërsulme kthyem ndeshjen dhe arritëm fitoren,” ka thënë fillimisht Loci duke shpjeguar momentet e kthimit të ekipit të tij në lojë kur ekipi i ri prishtinas kishte arritur avantazh të madh.
“Jam i pakënaqur me performancën sepse nënvlerësuam kundërshtarin, por jam shumë i këanqur me mentalitetin fitues. Një për të gjithë, të gjithë për një dhe kjo shpresoj që të na çojë larg këtë stinor,” ka shtuar Loci.
Sa i përket ndeshjes së ardhshme, ku Rahoveci do të pret fituesin e dueli ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, që zhvillohet nesër, ish-trajneri i Pejës, Loci ka thënë se ajo do të jetë një finale e vërtetë.
“Ndeshja e ardhshme do të jetë sikur finale për ne. Cilido prej rivalëve është cilësor, por edhe favorit ndaj nesh. Mirëpo, ne s’kemi çka të humbim. Me ndihmën e tifozëve dhe përmirësimet që pres t’i bëjmë mendoj se kemi gjasat tona,” ka bërë të ditur ai.
Rahoveci, që stinorin e kaluar debutoi në Superligë, këtë stinor ka ngritur ekipin në një stad tjetër dhe tashmë për herë të parë në histori të klubit ka arritur në katërshen finale të Kupës së Kosovës.
Njejtë, ekipi i vreshtarëve është duke shikuar edhe mundësinë për të kapur një vend që dërgon në Play-Off të garave të Superligës, për të luftuar për titull - që gjithashtu do të jetë hera e parë në histori për klubin.