TRIUMF I MADH I GJILANASVE

Foto: SCGjilani/ fb
Jarovic me gola, Gjilani ngritet duke përmbysur Ballkanin
16 February, 2025 @16:25
Sulmuesi boshnjak i Gjilanit, Senad Jarovic, ka dalë në skenë sot, ndërsa ekipi i tij ka shënuar fitore ndaj kampionit aktual të Superligës, Ballkani. Përkundër se Ballkani kishte marrë epërsinë në pjesë të parë të ndeshjes përmes Bleart Tolajt, Gjilani ka gjetur fuqi për tu rikthyer në pjesë të dytë, ndërsa qendërsulmuesi 27-vjeçar i saj ka shënuar në minutën e fundit të kohës shtesë për të sjellë fitoren e madhe për ekipin e drejtuar nga Ardian Nuhiu.
Jarovic shënoi së pari nga penalltia për të barazuar rezultatin, ndërsa krejt në fund të ndeshjes me kokë qëlloi portën e suharekasve të drejtuar nga Orges Shehi për të fituar ndeshjen dhe për të sjellë gëzimin e madh te adhuruesit e ekipit, kur Gjliani tashmë fitoi ndeshjen 2-1 [Senad Jarovic 63’pen., 90’+4 - Bleart Tolaj 41’].
Fitorja ka ngritur Gjilanin në pozitë të pestë dhe e ka afruar atë në lojë për gara evropiane, pasi që ekipi tashmë është i pesti në tabelë dhe ka 27 pikë nga 20 ndeshje, dy më pak sesa Prishtina që është e katërta. Ballkani në anën tjetër, nuk shfrytëzoi rastin për t’iu afruar Dritës lidere që barazoi dje. Suharekasit që para kësaj xhiroje kishin shtatë pikë më pak se Drita, tash kanë tetë më pak se ata. Ballkani mbyllë xhiron në pozitë të dytë me 36 pikë.
Për statistikë, kjo është fitorja e parë kampionale e Gjilanit ndaj Ballkanit që prej vitit 2021!