CHELSEA - REAL MADRID

“Karim Benzema show” në Londër, Reali i afrohet gjysmëfinales
6 April, 2022 @22:58
Karim Benzema show në Londër!
Në Stamford Bridge të Londrës, Real Madridi sonte shënoi fitore 1-3 ndaj Chelseat vendas, për t’iu afruar kështu gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve për këtë sezon.
Si në ndeshjen e kaluar ndaj Parisit në 1/8 e finales, edhe sonte më meritori për suksesin madrilen ishte Karim Benzema. Francezi sonte shënoi një tjetër hat-trick personal, për t’ia dhuruar skuadrës së tij një fitore të madhe në Londër.
Dy gola me kokë në minutat 21’ e 24’ u shënuan nga Benzema për një 0-2 të shpejt, e më pas Chelsea ngushtoi shifrat në minutën e 40’ përmes gjermanit Kai Havertz.
Në momentin më të keq të mundshëm për Chelsean, Reali e gjeti golin e tretë. Me të filluar pjesa e dytë (46’), Mendy i Chelseat çuditërisht gaboi, e Benzema nuk fali, për ta çuar ndeshjen në 1-3.
E pastaj me përvojën e tij Reali e menaxhoi mirë pjesën e mbetur të ndeshjes dhe e mbylli ndeshjen me fitore 1-3, një rezultat fantastik para ndeshjes kthyese në Spanjë.
Ndeshja e kthimit në Spanjë luhet më 12 prill., e në gjysmëfinale fituesi i duelit mes Chelseat dhe Real Madridit do të përballet me fituesin e duelit mes Cityt dhe Atletico Madridit.