EKSKLUZIVE
Kastrioti, shpreson mbijetesën
Intervistë ekskluzive me kapitenin e KB Kastrioti, Visar Xhemajli;
12 August, 2014 @10:14
Kastrioti, stinorin e shkuar hyri në Superligë vetëm falë garantimit financiar - që do të jetë e aftë të garojë deri në fund.
E derisa ferizajasit askush s’i llogariste si ekip që mund të mbijetojë, ata me disa fitore të mëdha: ndaj Bashkimit dhe Trepçës - kanë arritur që të sigurojnë mbijetesën dhe ndeshjen e Play-Outit, që nuk e kishin të vështirë ta fitojnë.
Gjendje, jo e mirë
Synimet e tyre mbesin të qarta dhe nuk ka ndonjë super prognozë. Kapiteni i ekipit, Visar Xhemajli, në një intervistë ekskluzive për Borozani.com tregon se Kastrioti dëshiron të luaj me më të fortit e basketbollit kosovar - që do të thotë se Superliga mbetet imperativ për ekipin kaltërebardhë.
-Në çfarë faze është ekipi juaj sa i përket përgatitjeve parasezonale?
Xhemajli: Momentalisht, ekipi është në gjendje jo të mirë. Më vjen keq që të gjithë lojtarët e ekipit janë duke stërvitur individualisht dhe në grupe, por jo si ekip.
-Do të vazhdoni me trajnerin Rickey George apo keni plane tjera për stinorin e ri?
Xhemajli: Edhe pse nuk jam aktivisht këtë stinor te ekipi, besoj se është e pamundur të mirret ndonjë vendim për trajner. Edhe pse ameriani Rickey George, është ende pjesë e ekipit ku nga SHBA-të është duke u marrë me lojtarët që ishin pjesë e ekipit në turne të ndryshëm, ku ka përfaqësuar Kastriotin denjësisht.
Asnjë lojtar me kontratë
-Cilët lojtarë i keni me kontrata dhe sa lojtarë do t’ju duhet t’i afroni në ekip para stinorit të ri?
Xhemajli: Aktualisht, të gjithë lojtarëve i ka skaduar kontrata, por dëshira reciproke është që ato të renovohen. Mirëpo, klubi nuk do ta bëj këtë gjë pa u siguruar mirë që do ta zbatojë marrëveshjen me lojtarin. Dihet se prioritet i Kastriotit është përmbushja e obligimeve financiare, e sidomos ndaj atyre që kanë qenë besnik ndaj klubit.
Mbijetesa afatgjate, imperativ
-Synimet e klubit për stinorin e ri?
Xhemajli: Kastrioti synon rezultate të mira, lojë korrekte dhe sigurimi i mbijetesës në elitë për periudhë 4-5 vjeçe. Kur e them këtë, mendoj jo vetëm te klubi, por edhe te sporti në përgjithësi, pasi që hapja e shkollave të basketbollit, puna me të rinj, janë gjëra që do të duhet të bëhen me kohë.
-Për tifozët, lojtarët, basketbollin në përgjithësi…
Xhemajli: Tifozëria është faktor i jashtëzakonshëm për një ekip. Ata ngrisin dëshirën për punë, të bëjnë më kërkues për rezultate. Ata janë me ekipin edhe në ditë të mira edhe në ditë të këqija.