THE FINALS
Kaubojët pushtojnë plazhin e Miamit
11 June, 2014 @9:28
Një lojë e mrekullueshme e Kawhi Leonard në mëngjesin e hershëm sot ka vendosur fatin e ndeshjes së tretë finale të Play-Offit të NBA-së.
San Antonio Spurs ka treguar se nuk varet nga terreni, duke arritur që të mposht Miami Heatin si mysafir dhe atë bindshëm, 111-92.
41-25 përfundoi çereku i parë për ekipin nga Texasi derisa, Miami ka arritur të dalë fitues vetëm në çerekun e tretë me 25-15 - që përkundër afrimit pak, nuk arriti të fitojë ndeshjen, pasi që Spurs edhe njëherë tregoi forcën duke e fituar edhe çerekun e fundit me +8 pikë.
“Nuk ka pasur lojë të planifikuar. Nuk ka pasur magji. Ne vetëm kemi lëvizur topin dhe çdo shut i yni është futur në kosh,” ka thënë rezerva e San Antoni Spurs, Manu Ginobili, pas ndeshjes.
Kawhi Leonard ka shënuar rekord pikët e karrierës, 29 sosh, derisa Spurs kanë arritur rekordin e saktësisë të të gjitha finaleve të NBA-së me 75.8% të saktësisë së shutit nga loja.
“S’e besoj që do të mund të shënojmë me 76% të saktësisë më,” ka shtuar trajneri i Spursit, Gregg Popovich.
Kjo ka qenë fitorja e dytë e Spurs në serinë finale, derisa ndeshja e katërt luhet përsëri në Miami. Spurs kishte epërsi me +25 pikë gjatë ndeshjes, dersia LeBron James dhe Dwayne Wade që shënuan nga 22 pikë secili nuk arritën të ndalin kësaj radhe kaubojët e Texasit që parakalonin nëpër plazhet e Miamit.