RAHOVECI-KERASAN

Festa e Kerasanit pas fitores/ BOROZANI/ L. D.
Kerasani me vendorë, befason Rahovecin
25 October, 2017 @19:06
Ekipi i Kerasan Prishtinës ka arritur që të befasojë Rahovecin sonte duke e mposhtur me rezultat 89-96 në përballjen e zhvilluar në Shani Nushi të Gjakovës.
Tashmë ekipi i drejtuar nga Dritëro Sefaja ka bilanc 2-3 pas 5 xhirove në Superligë dhe në xhiron e radhës pret Bashkimin.
24-18, 37-40, 66-55 dhe 89-96 ka qenë rrjedha e rezultatit sipas çerekëve, ndërsa në fund çerek të fundit Kerasani ka shfrytëzuar pjesën e madhe të gjuajtjeve të lira, për shkak të faulimeve nga kundërshtari, e Rinor Ahmeti me Kujtim Sadikun kanë shënuar edhe treshe që kanë shkëputur rezultatin në të mirë të mysafirëve nga Prishtina.
Te Kerasani, Arbnor Haliti ka qenë snajper i vërtetë sonte, duke shënuar 4 nga 5 tentime për tre pikë, derisa ka përfunduar ndeshjen me 18 pikë të shënuara.
Më efikasi ka qenë Kujtim Sadiku, duke shënuar 21 pikë e 5 kërcime, ndërsa Alban Latifaj ka qenë pranë double-double duke regjistruar 20 pikë, 9 asistime dhe 6 kërcime në fitoren e ekipit.
Te Rahoveci, Xavier Newson me 21 pikë ka qenë më efikasi, ndërsa Kyle Sovine dhe Mustafë Merovci me 18 pikë secili, nuk kanë arritur të bëjnë më shumë deri në fund, te vreshtarë.