MESJAVA E TRETË
BOROZANI/ A. P.
Sonte Tirana-Bashkimi
25 October, 2017 @10:14
Dueli i javës së tretë të BIBL në Feti Borova të Tiranës do të vë përballë dy skuadrat shqiptare, Tirana dhe Bashkimi. Borozani.com
Tirana e Bashkimi ende s’kanë shijuar fitoret e para të tyre këtë stinor në BIBL dhe janë në kërkim të së parës.
Për Tiranën që po drejtohet nga trajneri grek, Antonios Doukas, ky do të jetë dueli i parë si vendas. Bardhekaltërit kanë bilanc 0-2 pas 2 ndeshjeve të para në BIBL, ndërsa lojtari që është dalluar më së shumti deri tash aty është ish-qendra e Bashkimit, Endrit Hysenagolli, që ka marrë epitetin e lojtarit më të mirë të javës në BIBL, përkundër humbjes së Tiranës.
Në anën tjetër, Bashkimi largoi trajnerin me të cilin ia nisi stinorit. Predrag Milovic nuk është më drejtues i bankës së portokallezinjëve, ndërsa mbrëmë ata në Tiranë u stërvitën nën urdhërat e ndihmësit, Illmen Bajra, që siç po duket edhe do të drejtojë ekipin në ndeshje.
Për Bashkimin, kjo është ndeshja e dytë e stinorit në BIBL. Në të parën është mposhtur nga Blokotehna e Gjevgjelisë, ndërsa në mesjavën e parë ka pushuar. Portokallezinjtë do të kërkojnë të fitojnë në Tiranë, për t’u kthyer në shtëpi të gëzuar dhe për t’u këndellur nga humbja e xhiros së fundit në Superligë prej Yllit.