PAS PËRFUNDIMIT TË STINORIT TË RREGULLT
Kerasani shpëton, caktohet PlayOffi
1 April, 2019 @14:22
Pas përfundimit të sezonit të rregullt në Ligën e Parë të Kosovës, janë përcaktuar ekipet që do të luajnë në Play-Off për një vend që siguron dhe një vend që mundëson shpresë për Superligë.
ÇIFTET E PLAYOFFIT
Lideri i stinorit të rregullt në Ligë të Parë, Feronikeli do të ndeshet me Istogun në PlayOff, ku ekipi që arrin dy fitore nga tre ndeshje maksimalisht do të shkojë në finale.
Gjysmëfinalja tjetër e PlayOffit luhet mes Vëllaznimit dhe Don Boskos. Rregulli i njëjtë aplikohet edhe në këtë çift. Dy fitore nga tre ndeshje dhe fituesi i duelit shkon në finale të PlayOffit të Ligës së Parë.
FINALJA. Finalistët e garës do të luajnë gjithashtu serinë prej tre ndeshjeve maksimalisht ku ai që arrin dy fitore shpallet kampion i Ligës së Parë dhe siguron Superligën për stinorin 2019/20.
E mira është që humbësi i finales ka edhe opcion tjetër për të kërkuar Superligën. Humbësi i finales do të ndeshet në seri prej tre ndeshjve me Lipjanin nga Superliga në duelet e PlayOutit dhe nëse arrin të fitojë dy ndeshje do të sigurojë Superligën.
TË MBIJETUARIT, PLAYOUT dhe EKIPI QË RA NGA LIGA
Sa i përket ekipeve tjera të kësaj lige, Prishtiana e Re, Drita, Penza dhe Kerasan Prishtina kanë siguruar edhe një stinor në Ligë të Parë, ndërsa Vushtrria do të duhet të luajë ndeshje PlayOuti me finalistin e Ligës së Dytë për të siguruar mbijetesën në këtë ligë.
Interesant është fakti se Vushtrria pësoi në xhiron e fundit dhe me këtë humbi mundësinë që të shpëtojë direkt dhe tash duhet të luajë ndeshje PlayOuti.
Kjo pasi që Kerasan Prishtina arriti bilanc të njejtë si Vushtrria në xhiron e fundit 5-13 dhe me bilanc më të mirë në duele direkte [PG. 45.1.1 dhe 45.1.2.] mbijeton në Ligë të Parë.
United Basketball nga Gjilani bie nga Liga e Parë.