EURO U-18/ DIV C
Kosova U18 e nis me fitore
22 July, 2018 @21:24
Me performancë të jashtëzakonshme të talentit pejan, Rron Ukaj, Kosova U18 ka shënuar fitore të lehtë dhe të thellë në ndeshjen e parë të europianit U18 Divizioni C, që po mbahet në Prishtinë.
Kosova U18 ka mposhtur San Marinon U18 89-56, në përballjen e parë për ekipet në fjalë në Grupin B të europianit, ndërsa Ukaj ka përfunduar takimin me efiçencë 34, duke shënuar 21 pikë, 17 kërcime, 2 asistime dhe 3 topa të rrëmbyer.
Përveç tij, pikë dyshifrore shënoi edhe Erhan Sholla, që kreu takimin me 17 pikë, ndërsa selektori Ibrahim Karabeg duke pasur parasysh kundërshtarin jo cilësor, i dha rast të gjithë lojtarëve së paku 10 minuta të qëndrojnë në parket, dhe më e mira, të gjithë shënuan së paku 2 pikë.
Ndeshja e radhës për Kosovën U18 është ndaj Qipros U18, të cilët sot mposhtën gjithashtu thellë Gjibraltarin 85-52. Kjo ndeshje do të zhvillohet të martën me fillim në ora 19:30 në Prishtinë.