NGA KAMPI KUQEZI

Foto: FSHF
Kthehet Broja, vazhdojnë përgatitjet për Izraelin
Teksti: FSHF
8 June, 2022 @14:15
Kombëtarja shqiptare është rikthyer dje në atdhe pas ndeshjes së luajtur në Islandë një ditë më parë dhe ka nisur përgatitjet për ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, atë ndaj Izraelit që luhet më datë 10 qershor në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Përfaqësuesja kuqezi ka mbërritur të mërkurën rreth orës 16:00 në aeroportin e Tiranës dhe është nisur drejt Durrësit, ku në ora 19:00 ka zhvilluar në kompleksin Tropikal një seancë të lehtë stërvitore. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se me ekipit sot në stërvitje i është bashkuar edhe sulmuesi Armando Broja, i cili mungoi në transfertën e Islandës. Stafi teknik do të vëzhgojë në vazhdimësi gjendjen e lojtarit me shpresën që ai të jetë në kushtet e duhura fizike për të luajtur në sfidën ndaj Izraelit.
ORARI I NDESHJEVE dhe TABELA AKTUALE
Gjithashtu, me ekipin është stërvitur edhe sulmuesi Myrto Uzuni, pasi mungoi në ndeshjen e parë zyrtare për shkak të një lëndimi dhe është stërvitur në mënyrë individuale. Stafi mjekësor është duke monitoruar në vazhdimësi rikuperimin e lojtarit dhe shpresohet që ai mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e dytë të qershorit. Shqetësime ka pasur edhe mesfushori Odise Roshi i cili po kalon një gjendje gripale dhe nuk është stërvitur.
Skuadra do të vijojë me përgatitjet po në Durrës, ndërkohë që të enjten do të zhvillohet edhe stërvitja zyrtare para ndeshjes me Izraelin, e dyta në Ligën e Kombeve për kuqezinjtë.