GRANIT RUGOVA
Kthehet në shkurt
19 December, 2013 @9:35
Basketbollisti me më së shumti pikë të shënuara në një ndeshje në Kosovë, Granit Rugova, ka filluar fazën e fundit rehabilituese pas operimit dhe tani më ka filluar të vrapojë dhe të mbajë seanca në fitnes.
Kështu ka njoftuar faqja zyrtare e klubit prishtinas mbrëmë, derisa Graniti është duke munguar që prej fillimit të stinorit te Sigal Prishtina për shkak të operimit që e kaloi.
“Kalova një periudhë mjaft të vështirë, falë familjes, plisave, kryesisë, bashkëlojtarëve dhe shoqërisë, unë nuk u dorëzova dhe nuk do të dorëzohem kurrë,” ka thënë Graniti, njofton faqja e klubit në rrjetin social Facebook.
Granit Rugova pritet të rikthehet në përbërje të Sigal Prishtinës gjatë muajit shkurt, që i bie të jetë gati për pjesën e dytë të stinorit në Superligë.
Sidoqoftë, nëse shërimi i tij kalon më shpejtë, atëherë ai do të mund të jetë pjesë e ekipit edhe në garat e BIBL që nuk ndalen gjatë janarit e shkurtit.