MEDIA
Kush do të jetë pasardhësi i Dokuzovskit te Prishtina?
22 August, 2014 @10:35
Sigal Prishtina është hedhur në gjah. Drejtuesit e ekipit që fitoi gjithçka në stinorin që shkoi në vend, janë duke kërkuar trajner cilësor, por për atë duhet të vendosin shpejtë, pasi që ditët po ecin e garat po afrohen.
“Nuk kemi kohë për të humbur, prandaj shumë shpejt do të përcaktohemi për trajnerin e ri. Më heret si opcion ka qenë Ivan Sunara, ndërsa tani jemi në kontakt me boshnjakun Mensur Bajramovic. Kemi biseduar edhe më një trajner maqedonas, por për momentin nuk ka asgjë konkrete,” është cituar të ketë thënë drejtori i skuadrës kryeqytetase Florian Miftari për të përditshmen sportive të Tribunës, Arena, sot.
Sunara, kroati 55 vjeç ka qenë ndihmës trajner i përfaqësueses kroate në Eurobasket 2013, derisa Bajramovic 50 vjeç ka qenë trajner i përfaqësueses boshnjake në Eurobasket 2005.
Mirëpo, edhe ditorja sportive Sport Plus, në numrin e saj të sotëm, duke u bazuar në burimet e saja siguron se trajner i ri i kampionëve bardhekaltër do të jetë boshnjaku 57 vjeçar, Sabit Hadzic.
Sigal Prishtina stinorin e kaluar e nisi me trajnerin turk Ceyhun Cabadak, derisa e përfundoi me maqedonasin, Marin Dokuzovski.
Aktualisht, stërvitjet e ekipit po i udhëheqin dyshja Fikret Shatri dhe Albert Sylejmani, pasi që Dokuzovski nënshkroi për Rabotnickin.