FLORIAN MIFTARI
Ky është suksesi më i madh në histori të klubit
25 April, 2016 @10:58
Sipas Florian Miftarit, drejtorin sportiv të Sigal Prishtinës, titulli i dytë rresht në Ligën Ballkanike është sukses historik për klubin.
Kështu është shprehur ish basketbollisti i dikurshëm, i cili tashmë është zyrtar kyç te klubi bardhekaltër.
“Ndjehemi mrekullueshëm. Ishte një ndeshje e mrekullueshme me basketboll të mirë. Ne kishim përparësi 14 pikëshe, por e dinim se do të ishte vështirë për ne. Ky është basketboll dhe ne jemi vërtetë të lumtur që arritën titullin e dytë në tre vite pjesëmarrje. Ky është suksesi më i madh në histori të klubit,” tha Miftari për faqen zyrtare të Ligës Ballkanike.
Ai më tej pranoi se ndryshimet në skuadër dhe ndërrimi i trajnerit në momentin e duhur, kanë qenë faktor kyç në suksesin e klubit.
“Ne kishim disa ndryshime gjatë stinorit. Fatkeqësisht kishim disa lëndime dhe mendoj se e ndërruam trajnerin në momentin më të duhur. Vërtetë dua të falenderojë të gjithë ata që punuan për klubin dhe bënë punë të shkëlqyer. Ky është rezultati dhe ne jemi shumë të lumtur.
Këtë stinor në Ligën Ballkanike ishte perfekt. Skuadrat ishin në nivel shumë të afërt, por ne arritëm deri tek titulli. Ne kishim ekipin më të mirë në ligë dhe mendoj se do ta pranojë këtë. Mendoj se në stinorin e ardhshëm Liga Ballkanike do të jetë më e fortë, do të ketë gjithashtu skuadra të reja dhe shpresoj që do të fitojmë ne përsëri.”
Në fund, “Floki” tha se tashmë synimi i fundit i skuadrës është kampionati kosovar dhe më pas gjithsesi që do të ketë një pushim të merituar.
“Tani kemi për ta mbaruar kampionatin në Kosovë dhe vërtetë kemi nevojë për pushim. Ne kemi luajtur në tre gara dhe tani jemi duke pritur për të përfunduar stinori,” përfundoi Miftari.