CAVS FITON
LeBron e Irving kthejnë shpresën te Cavs
9 June, 2016 @8:55
Cleveland Cavaliers ka arritur të shënojë fitoren e parë në serinë finale të NBA-së ndaj Golden State Warrirosit sot dhe atë me 30 pikë epërsi, 120-90.
Me këtë fitore Cavs kanë ngjallur shpresat e ekipit për të arritur diçka më shumë ndaj makinerisë së ‘luftëtarëve’ kampionë, të cilët po përjetojnë stinorin e dytë superior në ligë.
LeBron e Irving, 62 pikë
LeBron James shënoi double-double prej 32 pikëve dhe 11 kërcimeve, ndërsa Kyrie Irving shtoi 30 pikë të tjera në këtë fitore, që bëri rezultatin e përgjithshëm 2-1.
“Më në fund arritëm t’i kthehemi lojës tonë. Ishte rrjedhë e mirë e ndeshjes, ndërsa loja kolektive fitoi,” ka thënë James që nisi ndeshjen me një energji të jashtëzakonshme sot para 20 mijë tifozëve në Cleveland, të cilët nuk ndalën përkrahjen për ekipin e tyre gjatë gjithë ndeshjes.
Curry s’ishte në ditën e tij
Stephen Curry te Warriors nuk ishte në ditën më të mirë të tij. Ai shënoi 19 pikë, ku në pjesë të parë vetëm 2, ndërsa shuti i tij shkoi me 6 të qëlluara nga 13 tentime.
Harrison Barnes shënoi 18, e Klay Thompson shtoi edhe 10 të tjera, në këtë humbje të Warriorsave, të cilën trajneri Steve Kerr e quajti si lojë të butë.
“Ishim të butë në lojë. Kur je i butë, thehesh shpejtë në lojë,” ka thënë Kerr.
E Curry nuk e fali as veten për lojën e treguar.
“Duhet të luaj nja 100 herë më mirë se kjo sot. Jam mirë. Por mënyra se deshëm të na shkoj loja, nuk ndezi,” kanë qenë fjalët e tij për nba.com pas ndeshjes.
Dueli i radhës
Edhe ndeshja e katërt e serisë finale zhvillohet në Cleveland, ku vendasit do të kenë mundësinë për të barazuar serinë në 2-2, në të kundërtën ëarriors do të merr avantazhin ‘match point’ për të luajtur për titull në shtëpinë e vetë.