Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DY SHTESA NË "PËRPARIM THAÇI"

Liria përforcohet me dy lojtarë të Drenasit!

Amrush Bujupi, drejtori i Lirisë Enis Gashi dhe Qemail Elshani, pas nënshkrimit me Lirinë/ Foto: FCLiria/fb

Liria përforcohet me dy lojtarë të Drenasit!


20 December, 2022 @1:01

Mbrëmë Liria ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me dy lojtarë të Drenasit, për të shtuar cilësinë në skuadër para se të nis pjesa pranverore e stinorit.

Sipas njoftimit të klubit, dyshja ka nënshkruar kontrata me klubin bardhezi nga Prizreni, që ka vënë synim rikthimin në Superligë. Liria tashmë po kalon stinorin e katërt në Ligë të Parë të Kosovës.

Mesfushori me përvojë Qemail Elshani dhe portieri Amrush Bujupi janë prezantuar si përforcime në klubin prizrenas, ndërsa Elshani 31-vjeçar pritet të shtojë cilësi në mesfushën e ekipit, derisa ka luajtur si kapiten te Drenasi deri tash.

Në anën tjetër Bujupi 26-vjeçar pritet që me 189-centimetrat e tij të bëj më të sigurtë portën e skuadrës.

Përndryshe, Liria ka kryer pjesën vjeshtore të stinorit në Ligën e Parë Grupi A nën drejtimin e Xhengis Rexhepit në pozitë të katërt me 24 pikë nga 14 ndeshje, 4 më pak sesa lideri Feronikeli’74.

Ekipi gjithashtu ka arritur të befasojë Dritën në Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në të tetën e finales për të arritur në çerekfinale të Kupës së Kosovës ku do të ndeshet me Llapin.

Në stinorin e kaluar, Liria kishte arritur deri në barazhin e parë për Superligë, ku ishte mposhtur nga Vushtrria pas penalltive.

 


 
Të gjitha lajmet nga