FERONIKELI - LLAPI
Llapi mposhtet, Batatina përjashtohet, e para fitore për Duron
27 October, 2020 @15:59
Edhe një humbje për Llapin!
Humbjen e pestë sezonale skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e pësoi sot në Drenas, ku u mposht 1-0 (Yll Hoxha 53’) nga Feronikeli vendas.
Ky takim kaloi me raste për shënim në të dyja anët e fushës, mirëpo gjithçka u vendos nga një gol i shënuar nga Yll Hoxha, që qëlloi saktë nga afërsia në minutën e 53’, për t’ia dhuruar kështu fitoren e dytë sezonale skuadrës së tij.
Për më tepër, kjo ishte fitorja e parë e Niklit nën drejtimin e Klodian Duros, që tre-pikëshin e parë e arriti në takimin e tij të katërt si drejtues i skuadrës nga Drenasi.
Përveç rezultatit, nga ky takim vlen të përmendet edhe përjashtimi me karton të kuq i trajnerit të Llapit, Tahir Batatinës, i cili në momentet e fundit të ndeshjes u përjashtua pas protestave të vazhdueshme ndaj gjyqtarit Genc Nuza.
Kjo fitore e largon Niklin nga pozita e barazhit, kurse Llapi bashkë me Besën vazhdojnë të mbesin të fundit në renditje.