PLAY OFF

BOROZANI/Erdis Driza
Lufta për finale
4 May, 2013 @10:19
Të dielën mbrëma fillon super lufta për titull kampioni të Kosovës në basketboll. Fituesja e re e Kupës së Kosovës, Sigal Prishtina, me trajneri e saj të ri Ahmet Kandemir, që kthjelli ekipin në fund të stinorit të rregullt, tashmë kërkon të fitojë gjithçka.
Kthimi i Kupës në kryeqytet pas tre vitesh gëzoi shumë si ekipin ashtu edhe krerët e klubit. Ndërsa pranimi në Ligën Ballkanike u vlerësua sukses edhe më i madh.
Në anën tjetër Sigkos Bashkimi është i gatshëm për befasi. Djelmoshat e trajnerit, Muharem Vugdalic, janë të motivuar nga mungesat prishtinase.
Pas lëndimit të organizatorit amerikan, Alvin Snow, tashmë edhe paraqitja e të lënduarit në finale të Kupës, Julian Terrell, është në dyshim. Kjo do të thotë që prishtinasit do të luajnë me vetëm një të huaj - që shihet si mundësi ideale nga portokallët.
Sigkos Bashkimi është i varur nga lojtarët e huaj dhe forma e mirë e tyre. Në stinorin e rregullt, Kejuan Johnson, ishte shpallë lojtari më i mirë i muajit mars dhe nëse forma e tij e mirë vazhdon - gjithçka mund të ndodhë.
Ndeshjet gjysmëfinale të Play-Offit luhen deri në dy fitore me Sigal Prishtinën ekip që ka përparësi terrenin vendas.
Pas ndeshjes së nesërme në Pallatin e Rinisë të Sporteve, skuadrat takohen në Sezai Surroi ndoshta për të caktuar finalistin, ose në rast të rezultatit të barabartë - kthimin në Prishtinë, ku vendoset definitivisht finalisti i kampionatit.
BKT SUPERLIGA - PLAYOFF - DUELI 1
E diel 19:00 Pallati i Rinisë - Prishtinë | Sigal Prishtina - Sigkos Bashkimi | Gjyqtarë: H. Zeka, A. Vula dhe Xh. Mumini |
BILANCI I KËTIJ STINORI:
1 | Sigal Prishtina ka fituar 3-1 ndaj Sigkos Bashkimit në ndeshjet gjatë stinorit të rregullt. |