ADIS BECIRAGIC
Me kaq lojtarë, është dhënë më shumë se maksimumi
21 October, 2021 @23:39
Trajneri që bëri kampion Yllin për herë të parë në histori të klubit, Adis Beciragic, e ka të qartë forcën e ekipit dhe mungesat që po i mundojnë ata.
Por, një gjë e thekson, me të ardhur përforcimet e huaja në ekip Ylli do të jetë punë e vështirë për secilën skuadër në kampionat. E krejt kjo, për shkak të angazhimit përtej maksimales së lojtarëve aktual, që s’po gjejnë kohë as për t’u zëvendësuar.
“Kemi luajtur me gjashtë lojtar. Kemi vetëm tri të huaj në ekip, prej të cilëve një i lënduar. Natyrisht, urime Pejës për fitoren, por edhe më shumë uroj lojtarët e mi që kanë dhënë më shumë se maksimumi nga vetja në këtë ndeshje. Gjithashtu të mos harrojmë, kjo është ndeshja jonë e katërt, më duket në tetë ditët e fundit,” ka thënë ndër të tjera Beciragic pas humbjes së ngushtë nga Peja sonte në Karagaç.
Ylli ka pasur paraqitje tejet të mirë, përkundër se ka mangësi në lojtar, ndërsa Beciragic ka theksuar se nuk po ka mundësi ta pushojë sa duhet gjatë lojës Mikaile Tmusicin e Erjon Kastratin.
Ciklin e parë të ndeshjeve të Superligës me sonte, Ylli e përmbylli me bilans 3-4.