TRAJNERI I RI DEBUTON ME FITORE
Mijovic debuton me fitore te Ylli
4 February, 2024 @21:31
Jalen Nesbitt ka shkëlqyer, ndërsa Ylli ka shënuar fitoren e parë nën drejtimin e Petar Mijovicit, që debutoi sonte në bankën e ekipit suharekas. Nesbitt luajti me 22 pikë në fitoren e ekipit të tij, duke bërë edhe 6 kërcime, ndërsa me 17 pikë e 6 kërcime luajti kapiteni Gëzim Morina.
Ylli mposhti 79-67 Prizrenin që largoi trajnerin e posa emëruar Igor Mihajlovski, ndërsa timonin e skuadrës po e mbajnë ndihmës-trajnerët e deritashëm të ekipit, me të riun Rigon Hasi në detyrë të përkohshme.
Jan Palokaj ka qenë i frytshëm për ekipin, pasi që luajti me 12 pikë e 11 kërcime, kurse Morina në pikët e tij të shënuara duhet të përmendet që i ka shënuar 5 nga 11 tentime për tri pikë, me saktësi 45%!
Prizreni si koshashënues më të dalluar në këtë humbje kishte Arti Hajdarin me 16, dhe Ty Cockfieldin me 13 të shënuara. Fitorja mban Yllin në luftë për pozitë të tretë, ndërsa ka bilanc 12-8, kurse Prizreni është i parafundit me bilanc 5-15.