FITOJNË PA PROBLEM
Pas dy humbjeve rresht, Vëllaznimi i kthehet fitores
4 February, 2024 @21:26
Pa probleme Vëllaznimi ka mposhtur Istogun në duelin e tretë të xhiros së 20 të Superligës, ndërsa ekipi gjakovar ka fituar ndeshjen e luajtur në “Shani Nushi” si mysafir ndaj istogasve pa palestër me rezultat 57-90.
Për Vëllaznimin ka debutuar sonte Jahenns Maningat që ka dhënë 11 pikë për rreth 25 minuta lojë, ndërsa koshashënuesi më i mirë ka qenë Myreon Jones me 24 të shënuara. Jordan Dallas ka kryer lojën me double-double me 10 pikë e 10 kërcime.
Daquan Brooks dhe Tyrese Prince kanë qenë të vetmit me pikë dyshifrore te Istogu, pos Arian Azemit - që ka qenë më i dalluari te ekipi i Fikret Shatrit me 18 pikë të shënuara. Brooks kreu lojën me 13, ndërsa Prince me 10 pikë.
Me këtë fitore, Vëllaznimi bën bilancin 9-11 ndërsa Istogu bëhet me 1-19. Gjakovarët janë në pozitë të pestë të tabelës, ndërsa “Djemtë e bjeshkës” të fundit, në pozitën e tetë.