SHQIPONJAT FESTOJNË NË KRYEQYTET
Peja fiton derbin ndaj Prishtinës
3 February, 2024 @18:59
Peja ka vazhduar serinë e fitoreve në Superligë, ndërsa ka mposhtur Prishtinën në derbin e xhiros duke e mbyllur ndeshjen me rezultat 66-69. Dy minutat e fundit të ndeshjes kanë qenë interesante, derisa Peja bëri një dallim të vogël, e Prishtina dështoi të shënonte nga mundësitë që i kishte për të pësuar.
Vendimtar është treguar çereku i fundit, kur Peja ndali Prishtinën në 9 pikë, derisa vetë kampionët shënuan 12. Prishtina ka patur mundësinë për të barazuar ndeshjen dhe për ta çuar në vazhdime, por Donte Clark s’ka arritur të shënojë treshen në fund. Në 2 minutat e fundit të ndeshjes, Prishtina dha vetëm 2 pikë, ndërsa Peja 4!
Larry Thomas ka luajtur me 24 pikë, 4 asistime e 8 kërcime në fitore, ndërsa pikë dyshifrore ka dhënë edhe Musab Mala, 11. Te verdhezinjtë ka munguar sonte Sadio Doucoure, që ka qenë i sëmurë, ndërsa Rami Hadar në total ka shfrytëzuar 7 lojtarë - derisa Justin Davis ka luajtur pa pushim për 40 minuta duke dhënë 8 pikë, 1 asistim dhe 20 kërcime! E Lis Shoshi është gati 1 muaj i lënduar tashmë.
I posaardhuri në Prishtinë, Donte Clark ka shënuar 16 pikë në debutim të tijin, duke bërë edhe 4 asistime e 8 kërcime. Koshashënuesi më i mirë te Prishtina ka qenë Shaheed Davis me 17 të shënuara. Trajneri kroat i Prishtinës Jaksa Vulic në total shfrytëzoi 8 lojtarë, por kryesisht gjatë gjithë ndeshjes luajti me 7, ndërsa i mungoi Dardan Berisha.
Fitorja, bën që Peja ta shtojë distancën ndaj Prishtinës në tabelë, derisa tash verdhezinjtë të dytit në renditje kanë bilanc 15-5 e Prishtina është e treta me 13-7. Me këtë fitore, Peja ka marrë epërsinë ndaj Prishtinës në duele të ndërsjella 2-1, ndërsa të dy ndeshjet i ka fituar në “Pallatin e Rinisë”.