NË SKENË
Mulaomerovic nesër para mediave
30 August, 2018 @15:02
Selektori i ri i Kosovës, Damir Mulaomerovic, nesër për herë të parë zyrtarisht do të dalë para mediave në konferencën për shtyp organizuar nga FBK-ja.
Mulaomerovic, një emër i madh i basketbollit europian në kohën e tij si lojtar, pas aventurës në Cibonë dhe reprezentacionit të Bosnjes si trajner, tanimë do të drejtojë reprezentacionin e Kosovës.
Kosova do të luajë në parakualifikime për Eurobasket 2021 dhe në grup ka kundërshtar jo të lehtë, si Maqedonia dhe Rumania.
Vetëm fituesi i grupit do të kalojë në fazën kualifikuese të Eurobasketit, prandaj reprezentacioni i Kosovës, që tashmë ka ftuar lojtarët me listën e gjërë të publikuar ditë më parë, ka punë të madhe për të arritur këtë qëllim.
Në konferencën për media të paralajmëruar sot për nesër nga FBK-ja, përveç selektorit Mulaomerovic që tashmë ka arritur në Kosovë do të jetë prezent edhe drejtor i përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova.
Përndryshe, Kosova ka ftuar 24 basketbollistë në grumbullimin e parë të përfaqësueses, listë kjo e cila do të ngushtohet me kohë, para ndeshjes së parë parakualifikuese, ndaj Maqedonisë më 13 shtator në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, në Prishtinë. Kjo ndeshje është karakterizuar si ndeshje që duhet fituar nga Kosova për shkak të ndeshjeve tjera të radhës edhe më të vështira.