OLYMPIACOS - FENERBAHÇE
Nënkampioni turpëron kampionin
1 February, 2018 @23:21
25 pikë dallim në fund të ndeshjes, kanë bërë që kampioni aktual i Euroligës, Fenerbahçe, të dalë e turpëruar nga Peace & Friendship Stadium e Athinës sonte, pasi që Olympiacos i demoloi në fitoren, që barazoi bilancin dhe i mundësoi ekipit grek të kap vendin e dytë në klasifikim.
Me 34-18 përfundoi çereku i parë, ndërsa i treti dhe i katërti me nga tetë pikë epërsi për vendasit që fituan shumë më lehtë sesa që pritën këtë ndeshje.
Vassilis Spanoulis dhe Janis Strelnieks me nga 19 pikë ishin më efikasit te Olympiacosi. Ujku i vjetër, Spanoulis, shutoi 3/3 për tre pikë, ndërsa Strelnieks, 4/4! Mangu nuk u mbeti as Georgios Printezis sonte, që shutoi 2/2 për tre pikë, për të përfunduar ndeshjen me 12 pikë në total.
Drita e vetme e Fenerit sonte ka qenë Ali Muhammed. Ky ka qenë basketbollisti i vetëm që ka arritur të shënojë pikë dyshifrore te ekipi nga Stambolli, duke shënuar 24 sosh, prej të cilave 6 treshe nga 11 tentime.
Pas këtij dueli Olympiacos renditet i dyti në klasifikim me bilanc 14-7, sa ka edhe Fenerbahçeja në të tretin.