DAMIR MULAOMEROVIC
Një boshnjak në krye të Kosovës
14 August, 2018 @11:12
Pas arritjeve të vogla, por historike për Kosovën që debutoi në kualifikime për një Kampionat Botëror, në krye të reprezentacionit do të jetë boshnjaku Damir Mulaomerovic.
Mulaomerovic do të jetë pasardhësi i amerikanit Brad Greenberg, që u detyrua ta lë përfaqësuesen për shkak të obligimeve familjare, edhe pse FBK-ja ia mundësoi vazhdimin e kontratës.
I lindur në Tuzlla të Bosnjes, 43 vjeçari Mulaomerovic pritet të vijë në fund të këtij muaji në Kosovë, për të nisur punën e tij, derisa reprezentacioni i Kosovës do të garojë në ciklin parakualifikues për Eurobasket 2021.
Mulaomerovic përgjatë karrierës së tij si trajner, ka drejtuar reprezentacionin e Bosnjes dhe Hercegovinës së fundi, ndërsa në periudhën 2015 - 2017 ka qenë trajner i ekipit të njohur kroat, Cibona nga Zagrebi.
Sa i përket karrierës së tij si lojtar, ai është fitues i Euroligës dhe ka luajtur me ekipet e njohura evropiane në basketboll. Cibona, Bologna, Efes Pilsen, Panathinaikos, Real Madrid, PAOK e Olympiacos janë ndër ekipet më të rëndësishme që mund të gjinden në CV-në e njeriut që në shtator mbush të 44-tat.
Sa i përket reprezentacionit, ai ka mbrojtur ngjyrat e Kroacisë, me të cilët ka marrë pjesë në katër Eurobaskete dhe Lojërat Olimpike të vitit 1996.
Marrëveshjen me FBK-në për të drejtuar Kosovën, Mulaomerovic ia ka konfirmuar personalisht Kohës ditore sot.
Mulaomerovic do të bëhet trajneri i tretë i Kosovës prej se vendi ynë u pranua në FIBA. Pas Arben Krasniqit, me të cilin Kosova luajti në kualifikimet e para për Eurobasket, ku nuk shënoi asnjë fitore, ka qenë amerikani Brad Greenberg në krye të ekipit, me të cilin Kosova kaloi fazën parakualifikuese për Botërorin Kina 2019, ndërsa u eliminua në fazën kualifikuese.
Kosova është në grup parakualifikues për Eurobasket 2021 me Maqedoninë dhe me Rumaninë.