GAME 1: FERONIKELI - VËLLAZNIMI
Një hap drejt Superligës
13 April, 2019 @20:46
Me fitoren e Feronikelit është mbyllur ndeshja e parë finale e Play Off-it në Ligën e Parë, me ç‘rast Nikli ka marrë epërsinë 1-0 në serinë finale ndaj Vëllaznimit.
Skuadra nga Drenasi ka arritur ta mposhtë me rezultat 97-56 (19-18, 27-7, 27-11, 24-20) skuadrën e Vëllaznimit, për ta bërë një hap drejt inkuadrimit në Superligë, sukses i cili për këtë skuadër do të ishte historik.
Në mungesë të amerikanit Taaj Ridley, i cili pësoi një lëndim pak para ndeshjes së sontme, gjakovarët ballë Feronikelit i bënë vetëm në çerekun e parë, derisa pjesa tjetër e ndeshjes kaloi me dominim të vendasve, të cilët ndeshjen e mbyllën me fitore të thellë.
Paraqitje fantastike te Feronikeli sonte zhvilloi Arti Hajdari, i cili e udhëhoqi skuadrën e tij me 38 pikë, 7 asistime e 4 kërcime, derisa pikë dyshifrore te Nikli shënuan edhe Kovaqi (17) si dhe Gattis (14) e Merovci (14).
Te gjakovarët, pikë dyshifrore shënuan vetëm dy lojtarë, Kryeziu 15 dhe Koshi 12.
Ndeshja e kthimit mes skuadrave zhvillohet në Gjakovë, ndërsa nëse seria barazohet, skuadra që ngjitet direkt në Superligë përcaktohet nga një ndeshje e tretë, e cila do të luhej në Drenas, me Niklin që ka përparësinë e terrenit falë pozitës më të lartë në tabelën e klasifikimit gjatë sezonit të rregullt.
Humbësi nga kjo seri luftën për Superligë e zhvillon ndaj Lipjanit, skuadër kjo që ka përfunduar në vendin e parafundit në Superligë.