PRISHTINA - PRIZRENI
Rekord i Prishtinës në stinor të rregullt
13 April, 2019 @20:30
Prishtina nën drejtimin e Damir Mulaomerovicit ka arritur atë që s’e ka bërë asnjë ekip deri tash në Superligë të Kosovës në basketboll.
Bardhekaltërit kanë shënuar fitore në të gjitha ndeshjet e Superligës përgjatë gjithë stinorit dhe me sonte kanë përfunduar pjesën e rregullt me 28-0.
Prizrenit i ka vazhduar seria negative, duke e radhitur humbjen e pestë me radhë në Superligë. Seria më e keqe e bardhezinjëve që prej fillimit të stinorit, që i bëri të bien nga pozita e katërt në të gjashtën, prej ku edhe do të nisin PlayOffin.
Prishtina mposhti lehtë Prizrenin sonte, duke e fituar 106-71 ndeshjen pasi që në çdo çerek shtoi epërsinë për të arritur te diferenca 35 pikëshe në fund të takimit.
Fisnik Rugova përfundoi ndeshjen me 20 pikë të shënuara, ndërsa 19 të tjera shënoi Meriton Ismaili e 18 Divine Myles.
Dardan Berisha dhe Ahmed Bashir nuk u shfrytëzuan fare sonte nga Mulaomerovic, derisa minutazhë fituan Ismaili dhe Valon Bunjaku (10 pikë, 7 kërcime, 5 asistime).
Te Prizreni më efikasi ka qenë Malcolm Canada që dha 17 pikë. Përveç tij, pikë dyshifrore shënoi vetëm edhe Blendi Matoshi, 13. Urim Zenelaj pas disa takimeve mosparaqitje për shkak të një lëndimi të lehtë, sonte iu kthye ekipit me 8 pikë e 7 kërcime.
Me këtë fitore, Prishtina bëhet ekip i parë në histori që arrin të gjitha fitore përgjatë gjithë stinorit të rregullt 28-0 dhe do të nis PlayOffin nga gjysëmfinalet, ku pret fituesin e çerekfinales Bashkimi-Trepça.
Në anën tjetër Prizreni ka përfunduar stinorin në pozitën e gjashtë dhe do të ketë punë me Rahovecin në çerekfinale të PlayOffit.