FINAL SERIES TO THE SUPER LEAGUE
Seria finale sonte
13 April, 2019 @8:23
Sonte fillon seria finale e PlayOffit të Ligës së Parë në basketboll.
Feronikeli pret Vëllaznimin në duelin e parë të serisë që nis në ora 19:00 [palestra: Hysni Jetullahu, në Drenas].
Ekipi që arrin dy fitore së pari siguron Superligën për stinorin tjetër, ku Feronikeli ka përparësinë e terrenit vendas pasi që kreu sezonin e rregullt në vend të parë, para Vëllaznimit.
Ekipi që po drejtohet nga Petrit Zeqiri erdhi në Ligë të Parë këtë sezon. Nga Drenasi shfrytëzuan mungesën e ekipeve për të nisur rrugëtimin basketbollistik nga Liga e Parë dhe kështu me përforcime që prej trajnerit e deri te secili lojtar, Feronikeli mund të sigurojë Superligën që në vitin e dytë të ekzistimit.
Në anën tjetër Vëllaznimi ka pasur një stinor tejet të mirë në Ligë të Parë. Gjakovarët e drejtuar nga Shkumbin Kumnova janë mposhtur vetëm nga Feronikeli gjatë stinorit të rregullt. Kuqezinjtë kaluan në gjysmëfinale të PlayOffit Don Boskon shpejt e shpejt me 2-0 në seri dhe tashmë do të kenë punë me ekipin që i mposhti dy herë gjatë stinorit.
SHIKO: PlayOff Skemën e Ligës së Parë
Pas ndeshjes së sotme, ndeshja e kthimit e serisë finale luhet në Shani Nushi të Gjakovës, ku Vëllaznimi është vendas në mesjavë. Në rast të rezultatit të barabartë 1-1 pas dy ndeshjeve, seria përfundon me Feronikelin vendas për të kuptuar ekipin që do të luajë në elitë stinorin që vjen.
Sidoqoftë, humbësi i finales do të ketë një rast tjetër. Ekipi që humb finalen do të ketë edhe një seri ndeshjesh PlayOuti me ekipin që përfundon në pozitën e parafundit në Superligë [KB Lipjani].
SHIKO: Si përfundoi sezoni i rregullt?
Lipjani do të ketë përparësinë e terrenit vendas, ndërsa finalisti i Ligës së Parë do të tentojë të arrijë rrugën tjetër për Superligë në këtë mënyrë, në serinë prej tre ndeshjeve ku ekipi që arrin dy fitore sezonin tjetër e luan në elitë.