BOREA - YLLI
E njëzeta për Yllin gjysmëfinalist
13 April, 2019 @19:00
Ylli ka shënuar fitore të pritur dhe pa ndonjë telash të madh ndaj Boreas së Pejës, e cila tashmë është ekip i Ligës së Parë të Kosovës në basketboll.
Suharekasit kanë shënuar fitore të thellë në Karagaç duke e mposhtur Borean e rënë nga Superliga 72-143. Ylli s’ka kryer asnjë çerek nën 32 pikë të shënuara në kosh të pejanëve, ndërsa fitorja shënon gati dyfishin e pikëve të shënuara për ekipin e Arben Krasniqit.
Në përballjen ku të gjithë lojtarëvt e Yllit shënuan pikë, dhe asnjë lojtar nën 5 sosh, më efikasi ka qenë Romelo Banks me 23 pikë të shënuara, 10 kërcime e 1 asistim. Njëjtë me double-double ndeshjen e ka përfunduar edhe reprezentuesi i Kosovës, Leonard Mekaj që ka dhënë 19 pikë e 11 asistime bashkë me 5 kërcime në këtë përballje.
Edhe një fakt duhet theksuar nga kjo ndeshje, ku asnjë lojtar i Yllit s’ka luajtur më shumë se 22 minuta, ndërsa minimumi për një lojtar ka qenë 18 minuta lojë në parket.
Borea në anën tjetër, pas rikthimit në Superligë me WildCard, është përshëndetur definitivisht nga elita sot, ku në përballjen e humbur ndaj Yllit trajneri Hekuran Husaj i ka dhënë mundësi paraqitjeje të gjithë lojtarëve në dispozicion, e më efikasi në përballje ka qenë Ilir Shala me 19 pikë, 8 asistime e 5 kërcime të regjistruara.
Ylli, në gjysmëfinale të PlayOffit do të pres fituesin e përballjes çerekfinale ndërmjet Rahovecit dhe Prizrenit.
Borea, stinorin tjetër do të paraqitet në Ligën e Parë.