REPORTAZH
Një pasdite me reprezentacionin e Kosovës
23 June, 2018 @0:55
Kosova ka përfunduar dje pjesën stërvitore të kaluar në Gjakovë. Në palestrën Shani Nushi, basketbollistët, të qetë, pa publik, bënin stërvitjet e tyre taktike dhe kondicionale nën urdhërat e amerikanit Brad Greenberg.
Pas stërvitjeve taktike, të cilat monitoroheshin me kujdes nga selektori amerikan dhe atyre kondicionale, lojtarët filluan të luajnë ndeshjen përballë njëri-tjetrit, ku Greenberg krijoi dy skuadra.
Njëra, që dukej si pesëshja e parë potenciale e Kosovës për ndeshjen e radhës në mungesë të amerikanëve të natyralizuar, përbëhej nga Dardan Berisha, Fisnik Rugova, Erjon Kastrati, Leonard Mekaj dhe Dardan Kapiti.
Ndërsa tjetra përbëhej nga Granit Rugova, Ergin Grosha, Gëzim Morina, Valon Bunjaku e Gazmend Sinani.
Fituesi s’ishte me rëndësi, derisa selektori kërkonte që lojtarët të zbatonin urdhërat e kryera më parë në lojë.
Pastaj, Greenberg ndau ekipet në këto pesëshe, të verdhit dhe të kaltërit. Të verdhit: Gazmend Sinani, Granit Rugova, Ergin Grosha, Valon Bunjaku, Altin Morina dhe Rinor Peci.
Ndërsa të kaltërit përbëheshin nga: Dardan Berisha, Fisnik Rugova, Erjon Kastrati, Leonard Mekaj dhe Dardan Kapiti.
Në anën tjetër, Samir Zekiqi, nuk stërviti fare. Lojari i Trepçës, përkundër se kishte një lëndim të lehtë, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen që Kosova do ta luajë ndaj Hungarisë, rrjedhimisht edhe ndaj Polonisë.
Hungaria dhe Polonia janë favorite në përballje ndaj Kosovës, pasi që po luftojnë për vendin e dytë dhe aktualisht kanë pikë të barabarta.
Mirëpo, Kosova nuk do të dalë e dorëzuar në këto përballje. Ndihmës-trajneri Andin Rashica ka thënë se me përkrahje nga publiku dhe angazhim maksimal të lojtarëve, shpresa për rezultat pozitiv mbetet.
Njejtë kështu mendon edhe Dardan Berisha, kapiten i ekipit të Kosovës. Dardani ka thënë se pret që palestra të jetë e mbushur, ndërsa duke ditur që rivalët janë favoritë, fitorja e Kosovës do të ishte befasi e këndshme, që nuk është edhe larg mendsh po qe se gjërat shkojnë në rregull dhe ekipi ka fat.
Lis Shoshi dhe Alban Veseli janë të lënduar, ka mësuar Borozani.com, ndërsa amerikanët e natyralizuar nuk do të jenë prezent në këto dy ndeshjet e fundit. As Scott Bamforth e as Shawn Jones nuk do të paraqiten në ndeshjet e radhës, të fundit në ciklin kualifikues për Botëror. Justin Doellman nuk është paraqitur fare në këto kualifikime për Kosovën, përkundër se së fundi u bë kampion i ABA Ligës me Buduçnostin e Podgoricës. Ai ka qenë për një kohë i lënduar.
Kosova për herë të parë po merr pjesë në ciklin kualifikues për Kampionat Botëror të basketbollit, Kina 2019. Kosova së pari ka qenë pjesë e parakualifikimeve. Aty, duke mposhtur Maqedoninë dhe Estoninë ka arritur të dalë nga grupi dhe të sigurojë dalje në ciklin kualifikues.
Grupi C përkundër se është i vështirë me Lituaninë favorite të madhe, ndërsa Poloninë dhe Hungarinë potenciale për të kaluar tutje, Kosova do të tentojë që së paku të shënojë një fitore, pasi që i kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje, e katër të parat i ka humbur.
Kosova është mposhtur me 8 pikë dallim nga Hungaria në përballjen e zhvilluar si mysafir atje më 26 nëntor të vitit të kaluar. Nga Polonia është mposhtur rëndë, 90-62.
Më 28 qershor Kosova pret Hungarinë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë luan ndaj Polonisë, përsëri në Prishtinë.
Liderja e Grupit C, Lituania, ka bilanc 4-0 nga 4 ndeshjet e para të grupit. Ndjekëse e parë është Polonia me 2-2, ndërs pas saj Hungaria ka bilanc të njejtë gjithashtu. Kosova është e fundit, me bilanc 0-4. Tre të parat e grupit, kalojnë në ciklin e radhës kualifikues, ku përfundimisht do të kuptohen ekipet evropiane që do të sigurojnë pjesëmarrjen në Botërorin e basketbollit, Kina 2019.