EKSKLUZIVE
Rashica: Kemi mungesa, presim përkrahje
22 June, 2018 @19:56
Pak para ndeshjeve kualifikuese ndaj Hungarisë dhe Polonisë, përfaqësuesja e Kosovës në basketboll përgatitjet po i zhvillon në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Stërvitjet e orës 18:00 sot Borozani.com i përcollli nga afër, me ç‘rast u intervistua edhe Andin Rashica, ndihmëstrajneri i përfaqësueses së Kosovës.
“Përkundër lëndimeve që na kanë ndodhur gjatë kampit, stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Kemi përsëritur taktika të mëhershme, mirëpo gjithashtu kemi provuar edhe disa taktika të reja që pritet të na ndihmojnë në dy ndeshjet e radhës.
Jemi të hendikepuar nga mungesat e Lis Shoshit dhe Alban Veselit, si dhe amerikanët e natyralizuar nuk do të na bashkangjiten, prandaj mund të them që kemi mungesa të theksuara për këto dy ndeshje.
Hungaria, edhe pse në mungesë të basketbollistit kryesor, Adam Hanga, mbetet një përfaqësuese mjaft e fortë, e njëjtë edhe Polonia, mirëpo pres përkrahje nga ‘Dardanët’ në palestër dhe gjithashtu pres që lojtarët e stafi gjithashtu të japim maksimumin dhe të shpresojmë në rezultat pozitiv.” - u shpreh Rashica ekskluzivisht për Borozani.com.
Ndeshjen e parë Kosova e luan ndaj Hungarisë më 28 qershor, kurse më pas luan ndaj Polonisë më 1 korrik. Që të dyja ndeshjet luhen në Prishtinë.
Kosova pasi që kaloi pjesën parakualifikuese për Kampionatin Botëror Kina 2019, bën pjesë në Grupin C kualifikues të Eurozonës.
Nga katër ndeshjet e para të zhvilluara në grup, Kosova i ka humbur të gjitha. Dy ndeshjet e fundit Kosova i luan si vendas ndaj Hungarisë dhe Polonisë, në Prishtinë. Kosova shpreson në fitoren e parë në këtë fazë, derisa vetëm vendi i fundit në grup eliminohet, të tjerët kualifikohen në fazën e radhës të kualifikimeve për Kina 2019.