GAME 3: CAVS - WARRIORS
Warriors 3-0 me Durantin që shënoi rekord
7 June, 2018 @8:49
Golden State Warriors pothuajse është kampion i stinorit 2018/19. Me një performancë të jashtëzakonshme, që solli rekordin personal të karrierës për Kevin Durantin, luftëtarët fituan edhe ndeshjen e tretë të serisë finale radhazi.
Warriors mposht Cleveland Cavaliersin 110-102 në terren të këtyre të fundit dhe tashmë epërsia në seri është 3-0 për ekipin e drejtuar nga Steve Kerr.
Durant shënoi rekord karriere në PlayOff duke regjistruar 43 pikë në llogari të tij, ndërsa gjatë ndeshjes dha edhe 13 kërcime e 7 asistime për ekipin.
Përndryshe, Durant është bërë lojtari i parë në historinë e Warriors që shënon mbi 40 pikë në terren mysafir gjatë finaleve të PlayOffit.
Sa i përket ndeshjes deri në fund ajo ka qenë një finale e vërtetë. Luftë për çdo top ndërsa rezultati nuk i premtonte fitore as njërës as palës tjetër, pasi që shkonte gjithmonë ngushtë, veçanërisht në çerekun e fundit, deri në minutën e fundit.
LeBron James në anën tjetër përfundoi ndeshjen me triple-double. 33 pikë, 11 asistime dhe 10 kërcime, shto edhe 2 topa të rrëmbyer e 2 bllokada, ai bëri gjithçka për ekipin e tij.
SHIKO > > > PLAYOFF SKEMA E NBAs
Për më tepër, James tashmë ka kaluar Michael Jordanin në listën e koshashënuesve me mbi 30 pikë përgjatë ndeshjeve të PlayOffit në histori të NBA-së.
Ndeshja e katërt e serisë finale zhvillohet të shtunën në mëngjes, në ora 03:00.
“Kjo çka ka bërë sonte këtu ka qenë e pabesueshme,” ka thënë Kerr për lojën e Durantit. “Disa nga shutimet e tija, s’besoj që ka dikush që do të mund t’i shutonte.”
Në anën tjetër James pas ndeshjes ka thënë.
“Nuk mund të ketë keqkomunikim në ndeshje. Nuk mund të keni ditë të keqe. Sepse ata do t’ju bëjnë të paguani këtë,” ka thënë ai.
Përndryshe, Andre Iguodala, i rikthyer pas lëndimit shënoi 8 pikë në 21 minuta lojë për Warriors. Ndërsa pas Durantit me rekord, koshashënues më i mirë te kampionët aktual ka qenë Stephen Curry me 11 pikë!