NGA KONFERENCA
Lue konfirmon, nis me Smithin
4 June, 2018 @0:51
Përkundër gafës së madhe që e bëri në ndeshjen e parë të serisë finale, J. R. Smith do të nis përballjen e sotme ndërmjet Warriors dhe Cavs.
Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Clevelandit, Tyronn Lue, në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Ai do të nis ndeshjen dhe unë nuk e kam humbur besimin te ai. J. R. mund të këndellet nga çdo gjë, çdokush në ekip llogarit te ai. Kështu që, definitivisht, ai do të nis ndeshjen. Ai është pjesë e asaj çka bëjmë ne në parket dhe ndeshja e kaluar ka përfunduar tashmë, duhet të ecim përpara,” ka thënë ndër të tjera Lue.
J. R. Smith kishte fituar kërcimin në sekondat e fundit të ndeshjes së parë të serisë finale derisa rezultati në semafor ishte i barabartë - dhe e kishte mbajtur topin duke mos shutuar fare në kosh - ose për të pasuar me kohë - që ndonjë bashkëlojtar i tij të shënojë për fitoren e Cavsave.
Në vazhdime pastaj, Warriors fitoi ndeshjen dhe tash ka 1-0 epërsi në seri ndaj Cavsave.