TRAJNERI I GJILANIT ME VETËBESIM PARA NDESHJES NDAJ PRISHTINËS
Nuhiu: I bindur që do të na rikthehet fati
Teksti:scgjilani.com
6 December, 2024 @21:01
Ardian Nuhiu është shfaqur në konferencën për shtyp para ndeshjes përballë Prishtinës për të folur në lidhje me përgatitjet për ndeshjen, si dhe formën aktuale nëpër të cilën po kalon skuadra.
I pari i stolit të të kuqve të Gjilanit, theksoi se dueli i së shtunës do jetë i rëndësishëm dhe se detajet mund të vendosin fituesin.
“Pres ndeshje kualitative. Arsyeja kryesore janë futbollistët, pasi që dy ekipet kanë në radhët e veta futbollist cilësor dhe për atë pres një ndeshje kualitative. Kjo ndeshje është një mundësi shumë e mirë për futbollistët që në një fushë ideale për lojë t’i nxjerrin vlerat e tyre dhe të shprehen në mënyrën më të mirë. Ndeshjet e tilla i vendosin detajet dhe për këtë arsye jemi kujdesur që në çdo detaj ta analizojmë kundërshtarin. Do të përqendrohemi te skuadra jonë, e cila po performon në mënyrë shumë të mirë, pavarësisht rezultatit në ndeshjen e fundit në kampionat. Ekipi reagoj menjëherë në ndeshjen e fundit dhe e dëshmoi që nuk jemi në presion, pasi që përpos golave të shumtë të realizuar, po ashtu krijuam shumë raste për shënim”, deklaroi fillimisht Nuhiu.
Ndeshje pas ndeshje!
“Ka shumë ndeshje deri në fund dhe mundësi për t’i rikuperuar pikët e humbura. Vazhdoj të besoj fuqishëm te futbollistët, sepse mënyra se si po luajnë më detyron të besoj që ne do të shkojmë te rezultatet. Ndeshja e fundit ndaj Malishevës ishte ndeshja jonë më e mirë këtë sezonë në disa aspekt, sikurse në aspektin e luftës, po ashtu edhe në aspektin taktik. Është e dhimbshme mënyra se si pranuam golin. Megjithatë, ajo ndeshje ka përfunduar dhe tani kemi një ndeshje përpara për të cilën jemi përgatitur në këtë kohë të shkurtër sa kishim në dispozicion”.
Qasje e njejtë sikurse në ndeshjet e fundit
“Nuk na mungon guximi, pasi që po luajmë, po krijojmë dhe po dominojmë kundërshtarin, ashtu siç e dominuam Malishevën. U ndëshkuam nga një korner dhe kjo tregon vetëm mungesë fati. Le të kemi qasje të tillë sikurse në ndeshjen ndaj Malishevës, apo në ndeshjen ndaj Lirisë dhe jam i bindur që fati do të rikthehet në anën tonë”.
Objektivi?
“Objektivi ka qenë dhe mbetet ndërtimi i një skuadre kompetitive, zhvillimi i futbollistëve po ashtu. Shumë futbollist këtu janë rritur shumë dhe kjo flet mjaftueshëm që ne po ndërtojmë skuadër. Me një afat kalimtar nuk mund të ndërtosh atë të cilën e synon, kjo është proces, don kohën e vet. Mënyra se si po luajmë më bën krenar, këta futbollist më bëjnë krenar, prandaj besoj që jemi në rrugën e duhur. Kemi vende për përmisime, por besoj që me këta futbollist do të marrim më shumë se vetëm ndërtimi dhe për këtë jam i bindur”.
Tri ndeshjet e fundit?
“Ndeshjet i marrim një e nga një. Do të bëjmë maksimumin në këto tri ndeshje të fundit duke shfaqur grintë dhe luftë duke nisur nga ndeshja e nesërme”.
E ardhmja?!
“Drejtuesit e klubit e kanë dhënë përgjigjen më të mirë sa i përket të ardhmes. Kanë treguar se jemi në rrugën e duhur duke ndërtuar ekipin dhe të kërkojmë Evropën. Kam marrë oferta të tjera në këtë kohë, por unë nuk do të largohem nga Gjilani pa fituar trofe dhe pa e dërguar në nivelet më të larta”.
Dueli ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit do të zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Përballjen e kaluar të këtij stinori, Gjilani e kishte fituar Prishtinën 2-1.