SONTE NGA ORA 17:00
Peja për finale, Ponte Prizreni për barazimin e serisë
2 May, 2021 @12:51
Dueli i katërt i serisë gjysmëfinales atomike mes Pejës dhe Ponte Prizrenit zhvillohet sot prej orës 17:00 në Karagaç.
Peja riktheu epërsinë e serisë në ndeshjen e fundit dhe tash ka epërsinë 2-1 në këtë seri, ndërsa me një fitore potenciale sot, do të mund të bëhet finalistja e parë e PlayOffit të Superligës.
Në anën tjetër, Prizreni pret këndelljen pas paraqitjes jo të pritur në ndeshjen e fundit të serisë dhe me një fitore do të mund të barazonte serinë në 2-2 dhe të kërkojë vendimtaren në Sezai Surroi.
Secila ndeshje e serisë mes Pejës dhe Prizrenit ka bërë që të shënohen 192 e më shumë pikë dhe e njëjta pritet edhe sot në Pejë.
Ponte i drejtuar nga Arbnor Rifati ka humbur ndeshjen e parë 92-100, ndërsa fitoi të dytën 112-111 para se të humbte të tretën 108-85!
Përballë Peja me trajnerin që fiton trofe në Kosovë. Dragan Radovic ka bërë kampion Bashkimin dy stinorë më parë, ndërsa këtë stinor ia solli edhe Kupën e Kosovës Prishtinës. Me rikthimin e Dardan Berishës nga lëndimi, pejanët presin trofe, gjë të cilën e kërkon edhe Ponte Prizreni qysh nga pjesa e parë e stinorit dhe veçanërisht pasi kreu stinorin e rregullt në vend të parë.