PIKËPYETJA MBETET
Pejës i shtyhet afati për regjistrim
14 August, 2018 @11:40
Përkundër përfoljeve që Peja do të mbijetojë nga borxhet dhe do të vazhdojë garimin në Superligë të Kosovës, ekipi verdhezi ende nuk ka dërguar dëshmi në FBK.
Kështu, sot FBK ka bërë të ditur se KB Peja nuk i ka përmbushur kriteret për regjistrim për stinorin 2018/19 deri në afatin e caktuar nga FBK, 10 gusht 2018.
Mirëpo, FBK i ka dhënë edhe një rast ish kampionëve të Kosovës.
“Bordi i FBK-së kërkon nga KB Peja që deri më 15.08.2018 në ora 17:00 të sjell dëshmi që i ka kryer obligimet ndaj FIBAs dhe FBK-së në të kundërtën Bordi i FBK-së do të veproj konform Propozicioneve të Garave dhe Rregullores së Garave. FBK po ashtu e thekson faktin se nuk do të merr përsipër të jetë garancion për asnjë klub anëtar të saj, duke marr parasysh përvojat e hidhura nga e kaluara,” ka bërë të ditur njoftimi i lëshuar nga Federata pak më parë.
KB Peja ka humbur tre raste në tribunalin e basketbollit (BAT), për shkak të mospagesave të lojtarëve të huaj dhe borxhi është rritur në shumë gjashtëshifrore.
FIBA kësaj vere ka obliguar Federatat që nëse ekipet nuk paguajnë borxhin ose gjejnë zgjidhje për marrëveshje me lojtarët që kanë fituar rastin në BAT, të mos i regjistrojë ekipet për të garuar në garat kombëtare.