CELTICS - WIZARDS @ GAME 1

Përmbysje e madhe, Bostoni merr epërsinë
30 April, 2017 @21:35
Me fitoren e vendasve është mbyllur takimi i parë i serisë gjysmëfinale të Konferencës Lindore mes Boston Celtics dhe Washington Wizards.
Një takim që filloi në mënyrë fantastike për ‘magjistarët’, të cilët kishin epërsi 16-0, u mbyll në fund me fitoren e Bostonit falë një pjese të dytë fantastike nën udhëheqjen e treshes Thomas-Crowder-Horford.
Çereku i parë i takoi i gjithi mysafirëve nga kryeqyteti, të cilët me fundorët John Wall e Bradley Beal dhe me qendrën Gortat iu shkaktuan probleme të vazhdueshme vendasve, mirëpo rikthimi i Bostonit filloi nga çereku i dytë i ndeshjes. Ishin rezervistët ata që dhanë shkëndijat e para të rikthimit. Olynyk, Rozier e Smart krijuan një seri fantastike, e cila më pas u vazhdua nga startuesit dhe Bostoni nga -16 e përmbysi rezultatin në +15.
Me mbrojtje tejet të mirë, që e detyroi Washingtonin ta humbte topin plot 7 herë vetëm në çerekun e tretë, dhe me sulm tejet efikas, Bostoni e mbylli çerekun e tretë të ndeshjes me plot 15 pikë epërsi, epërsi e cila u mbajt deri në fund dhe ndeshja u mbyll me fitore.
Faktor kyç në këtë takim ishin padyshim edhe trepikëshat e skuadrës së Brad Stevens, e cila sonte shënoi plot 19 trepikësha, duke e barazuar rekordin e mëparshëm që kjo skuadër e mbante sa i përket tresheve në një ndeshje të play-offit.
I rikthyer pak orë pas funeralit të motrës së tij, Isaiah Thomas, ishte më i dalluari te Bostoni me 33 pikë e 9 asistime, ndërsa kontribut të pamohueshëm dhanë Al Horford me 21 pikë, 10 asistime e 9 kërcime (1 kërcim larg arritjes së Triple-Double) dhe Jae Crowder me 24 pikë e 6 kërcime, Gjithashtu, për t’u përmendur është edhe paraqitja e Avery Bradleyt, sidomos në fazën defansive.
Te kryeqytetasit u dalluan Bradley Beal me 27 pikë dhe John Wall me 20 pikë e 16 asistime.
Ndeshja e dytë e serisë luhet përsëri në Boston në mëngjesin e ditës së mërkurë.