KUPA E KOSOVËS: RAHOVECI - PRIZRENI
Përmbysje fantastike për finale historike!
1 March, 2019 @20:26
Rahoveci është finalist historik. Në duelin gjysmëfinal ku secila ekip që fitonte do të arrinte historinë e klubit, Rahoveci i drejtuar nga Bujar Loci dhe nën ndikim të vreshtarëve në publik, ka arritur të përmbys Prizrenin për të arritur finalen.
Ndeshja filloi furishëm për mysafirët nga Prizreni, të cilët në çerekun e parë shënuan 15 pikë më kundërshtari (13-28), për të krijuar kështu një epërsi mjaft të lartë për vetëm 10 minuta. Ndërkohë, të ndihmuar edhe nga publiku fantastik vendas, ‘vreshtarët’ në çerekun e dytë dhe të tretë e ngushtuan këtë epërsi në vetëm 4 pikë (62-66), për të na premtuar një çerek të katërt mjaft interesant.
E në çerekun e fundit, Rahoveci startoi me një seri 10-0, për të rikthyer gjithçka në anën e tij, për përfundimtaren 84-77.
James Stanback me 24 pikë duke shënuar 8 nga 13 tentime për tre pikë ka qenë më i dalluari në këtë fitore historike të ekipit.
Ai u ndihmua edhe nga 18 pikët e Fred Richardsonit si dhe 16 të tjera të shënuara nga Arian Qallaku.
Te Prizreni më efikasi ka qenë Elliott Cole me 19 pikë, pjesën më të madhe e shënoi në pjesë të parë. Ai u ndal në pjesë të dytë. 17 të tjera shënoi Urim Zenalaj, ndërsa Malcolm Canada u ndal në 9 pikë, 12 kërcime e 7 asistime.
Në finale të Kupës, Rahoveci do të përballet me Prishtinën, e cila sot e fitoi përballjen e saj gjysmëfinale ndaj Yllit.
Finalja zhvillohet të dielen (3 mars) me fillim nga ora 17:00.